Raporti i AGK-së: Gratë gazetare përballen me dezinformim gjinor,

0%

Raporti “Gratë në media dhe dezinformimi me bazë gjinore në Kosovë” ka evidentuar sfida në mënyrën se si gratë portretizohen në media, presionin me të cilin përballen gazetaret në hapësirën publike, si dhe ndikimin e rrjeteve sociale në cenimin e integritetit dhe intimidimin e tyre.

Gjetjet e raportit, të prezantuara më në Prishtinë, sipas pjesëmarrësve tregojnë një situatë edhe më të rëndë sesa ishte perceptuar më parë, ndërsa përmbajnë edhe rekomandime për institucionet, redaksitë dhe gazetarët.

Raporti “Gratë në media dhe dezinformimi me bazë gjinore në Kosovë” është përgatitur nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) në bashkëpunim me Rrjetin e Grave Gazetare të Kosovës (RRGGK).

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Gjetjet u prezantuan në konferencën “Nga analiza në veprim: Fuqizimi i lidershipit të grave dhe luftimi i dezinformimit me bazë gjinore në Kosovë”, të organizuar me mbështetjen e UNMIK-ut dhe në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Kosovë.

Raporti synon të japë një pasqyrë të gjendjes aktuale të portretizimit të grave në media dhe të dokumentojë sfidat me të cilat përballen gazetaret në sferën publike.

Në konferencë u theksua se zhvillimi i teknologjisë dhe përdorimi i rrjeteve sociale kanë shtuar edhe format e cenimit të integritetit dhe të intimidimit personal ndaj gazetareve të reja, duke ndikuar edhe në gatishmërinë e tyre për të vazhduar profesionin.

Drejtoresha e Departamentit për Demokratizim në Misionin e OSBE-së në Kosovë, Pascale Roussy, tha se raporti është rezultat i një bashkëpunimi afatgjatë me AGK-në dhe se mund të shërbejë si bazë për veprime konkrete kundër dezinformimit dhe stereotipeve.

“Është thelbësore të adaptohet një strukturë ndërsektoriale për të kuptuar thellësisht këtë fenomen dhe për të qenë në gjendje të hartojmë masa reagimi. Për sa i përket parandalimit, ne besojmë se informimi mund të luajë një rol jetik. Ndihmon njerëzit të njohin dhe të vënë në pikëpyetje stereotipet.

Për ne, ky raport është më shumë sesa edukim, është një katalizator për veprim”- tha Roussy më . Ajo foli edhe për nevojën e parandalimit të sulmeve dhe formave të tjera të presionit që zhvillohen përmes rrjeteve sociale.

Zëdhënësja e UNMIK-ut, Amanda Fisher, e lidhi gjendjen e medias me funksionimin e demokracisë, duke thënë se gazetarët po përballen me presion të madh si në Kosovë, ashtu edhe në vende të tjera. “Kur flasim për demokracinë, ne shpesh flasim për institucionet, ligjin, zgjedhjet. Por e vërteta është se demokracia është aq e fortë, vibrante dhe paqësore sa edhe vetë mediat.

Mediat e pavarura janë një pasqyrë në të cilën shoqëria e sheh veten. Gazetaria po përballet ndoshta me më shumë sfida se kurrë më parë, në të gjithë botën dhe këtu në Kosovë. Gazetarët përballen me një presion të jashtëzakonshëm”- tha Fisher. Në kuadër të mbështetjes së UNMIK-ut, përkatësisht Zyrës për Barazi Gjinore, është zhvilluar edhe projekti “Mentorimi për Gratë e Reja Gazetare”.

Në këtë program janë përfshirë gazetare të reja, studente të gazetarisë dhe mentore me përvojë të gjatë në media, me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe mentorimit profesional. Programi ka qenë i fokusuar kryesisht në çështjet e barazisë gjinore dhe dezinformimin e bazuar në gjini.

Sipas Fisher, programi i mentorimit ka krijuar bazën për një rrjet më të fuqishëm të grave gazetare, i cili mund të shërbejë për veprim kolektiv dhe për fuqizimin e tyre për t’u përballur me sfidat në gazetari. Thirrje për standard të njëjtë dhe verifikim të informatave Prezantimi dhe diskutimi për raportin u zhvilluan në dy panele.

Paneli i parë, me temën “Dezinformimi i bazuar në gjini në Kosovë – gjetjet, trendet dhe rekomandimet”, përfshiu Getoarbe Mulliqi nga AGK-ja; Aleksandra Jovanoviq, drejtoreshë e RTK 2; Leonida Molliqaj nga organizata QIKA, e cila ka kontribuar në raport; Biljana Nastovska, këshilltare për çështje gjinore në OSBE; Oumou “Habi” Diawara, këshilltare për çështje gjinore në UNMIK dhe gazetaren Ardiana Thaqi Mehmeti.

Gjatë diskutimit u prezantuan disa nga gjetjet e raportit dhe u ndanë përvojat e gazetareve. Sipas diskutimeve në panel, raporti ishte i nevojshëm për ta dokumentuar gjendjen reale, e cila nga gjetjet rezulton të jetë më e rëndë sesa ishte menduar. Pjesë e raportit janë edhe rekomandimet për institucionet, redaksitë dhe vetë gazetarët.

Aleksandra Jovanoviq ndau përvojën e saj lidhur me sfidat në profesion, duke theksuar vështirësitë shtesë me të cilat mund të përballen gazetaret që u përkasin komuniteteve joshumicë. Jovanoviq bëri thirrje që mediat të mos kontribuojnë në thellimin e ndarjeve ekzistuese në shoqëri dhe që të mos tolerohen dezinformimi dhe ofendimet. “Të kemi një standard të njëjtë për të gjithë.

Si mentore i kam këshilluar gazetarët e rinj të vërtetojnë informatat, të zbulojnë kontekstin dhe të mos lejojnë që ofendimi të jetë informacioni bazë për të arritur klikime”- tha Jovanoviq. Leonida Molliqaj nga organizata QIKA tha se trajtimi i çështjeve gjinore nuk duhet të kufizohet vetëm në kërkesën që vajzat dhe gratë të jenë më të forta për t’u përballur me presionin.

“E ardhmja më e mirë është kur ka djem që angazhohen në mbrojtjen e të drejtave të grave, me ndërtu formate të reja televizive me fokus tek gratë, por ku pamja jote nuk është fokusi dhe as titulli që të delegjitimon”- tha ajo.

“Edhe mediat duhet të jenë vetëkritike” Paneli i dytë, me temën “Nga analiza në veprim – Fuqizimi i gjeneratës së ardhshme të grave”, përfshiu mentoret e programit: Gentiana Begolli-Pustina, Figen Shabani dhe Remzije Shahini Hoxhaj, si dhe të mentoruarat Shyhret Hoxhaj, Resa Krasniqi, Shpresa Rakovica dhe Besarta Jashari.

Gentiana Begolli Pustina tha se edhe vetë mediat duhet të jenë vetëkritike për mënyrën se si i trajtojnë tema dhe çështje të ndryshme. “Gazetaria është profesion fisnik. Nuk duhet të lejojmë që njerëzit të ikin nga ne, por të na respektojnë dhe të na hapin dyert kur besojnë se do të raportojmë të vërtetën”- tha Begolli-Pustina.

Të mentoruarat folën për përvojat e tyre gjatë programit, njohuritë e fituara dhe ndikimin që mentoret kanë pasur në zhvillimin dhe motivimin e tyre për profesionin e gazetarisë. Në përfundim të konferencës, pjesëmarrëset në programin e mentorimit u pajisën me certifikata.

Burimi: Kallxo