Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj Valmir Hajrullahut dhe Avdyl Kryeziut, të dyshuar për mashtrim në një rast ku një qytetar dyshohet se është dëmtuar në shumën prej 134 mijë e 761 euro.
Për këtë rast, Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht në shkurt të këtij viti, kur Hajrullahu dhe Kryeziu ishin arrestuar nën dyshimin se i kishin premtuar një qytetari se do t’i mundësonin trajtim dhe transplantim të veshkës në Turqi.
Ekskluzive | Premtuan shërim në Turqi, ia zhvatën 130 mijë euro – bien në pranga dy mashtruesit Sipas aktakuzës së re, Hajrullahu dyshohet se ishte paraqitur rrejshëm si mjek në specializim në një spital në Turqi dhe, duke shfrytëzuar gjendjen shëndetësore të viktimës, i kishte premtuar se do t’i organizonte transplantimin e veshkës.
Në këtë mënyrë, sipas Prokurorisë, ai kishte kërkuar dhe pranuar shuma të ndryshme parash, kinse për shpenzime spitalore, ekzaminime dhe procedura që lidhen me transplantimin.
Mashtrimi i 134 mijë eurove për “transplant veshke”, i dyshuari në arrest shtëpiak Sinjali kishte raportuar më 21 shkurt se dy të dyshuarit ishin arrestuar në lidhje me këtë rast, ndërsa dëmi i dyshuar ndaj viktimës ishte rreth 130 mijë euro. Më pas, ndaj Hajrullahut ishte caktuar masa e arrestit shtëpiak.
Hetimet e Prokurorisë kanë zbardhur edhe mënyrën se si dyshohet se ishte realizuar mashtrimi. Sipas aktakuzës, për ta bërë skemën më të besueshme ishin përdorur dokumente dhe të dhëna të rreme, termine fiktive për ekzaminime, rezervime të biletave të avionit, fatura dhe komunikime elektronike. 134 mijë euro për “transplantim të veshkës”, Prokuroria ngre aktakuzë ndaj dy personave në Pejë Në këtë rast dyshohet se ishte përfshirë edhe shtetasi turk Yilmaz Tassoker, i cili, sipas aktakuzës, dyshohet se ishte paraqitur si dhurues i veshkës.
Për të, procedura penale është veçuar. Ndërkohë, emri i Valmir Hajrullahut është përmendur edhe në raste të tjera të mashtrimit.
Në mars të këtij viti, ai u dënua nga Gjykata Themelore në Ferizaj me dy vjet burgim dhe 2 mijë euro gjobë, për mashtrim me grant bujqësor, ndërsa përballet edhe me një proces tjetër gjyqësor në Prishtinë lidhur me pretendimet për mashtrime me grante dhe subvencione përmes OJQ-së “Qendra për Avokim dhe Diplomaci”.
Tash, me ngritjen e aktakuzës, Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar që Hajrullahu dhe Kryeziu të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. Sinjali kishte sjellë ekskluzivisht detajet e rastit që në shkurt, përfshirë identitetet e dy të dyshuarve dhe shumën e madhe të parave që dyshohej se ishte marrë përmes premtimit për “transplantin e veshkës”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
