Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar se do t’i drejtohet me letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për t’i kërkuar që të mos lejohet hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Vuçiq ka deklaruar se letrën do ta dërgojë gjatë mbrëmjes së sotme, duke shpresuar që Rutte ta marrë parasysh kërkesën e tij.
Sipas presidentit serb, Serbia do të vazhdojë të kundërshtojë hapjen e urës dhe, siç është shprehur ai, do të “luftojë aq sa mundet” për këtë çështje. Në anën tjetër, KFOR-i ka nisur më herët një proces gradual të ndryshimit të pranisë së tij në urën kryesore mbi Ibër.
Sipas njoftimeve, ky proces lidhet me përmirësimin e situatës së sigurisë dhe me optimizimin gradual të misionit të NATO-s në Kosovë.
Islami: Kjo lëvizje shpërfaq qartë strategjinë e Vuçiqit për ta zhvendosur këtë çështje nga niveli lokal në arenën më të lartë ndërkombëtare dhe diplomatike Avni Islami, profesor i shkencave të sigurisë, ka deklaruar për “Bota sot” se presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka ashpërsuar retorikën ndaj planeve për hapjen e urës kryesore mbi Ibër në Mitrovicë.
Avni Islam Sipas Islamit, Vuçiq pritet t’i drejtojë një letër Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, duke kërkuar parandalimin e hapjes së urës për qarkullim. “Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ish-ministër i propagandës në kohën e Millosheviçit, ka ashpërsuar retorikën e tij, ndaj planeve për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Ai ka paralajmëruar dërgimin e një letre zyrtare drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, me kërkesën eksplicite për të parandaluar hapjen e urës për qarkullim ”, thotë ai. Islami vlerëson se përmes kësaj qasjeje, Vuçiq synon të rrisë presionin ndërkombëtar ndaj Kosovës dhe të përfshijë drejtpërdrejt KFOR-in në çështjen e urës së Ibrit.
Sipas tij, retorika e Beogradit synon gjithashtu të krijojë perceptimin se hapja e urës paraqet rrezik për sigurinë e serbëve në Kosovë dhe të forcojë narrativën e Vuçiqit si “mbrojtës” i tyre. “Kjo lëvizje shpërfaq qartë strategjinë e Vuçiqit për ta zhvendosur këtë çështje nga niveli lokal në arenën më të lartë ndërkombëtare dhe diplomatike.
Duke iu drejtuar drejtpërdrejt kreut të NATO-s, Beogradi synon ta zhveshë Kosovën nga autoriteti vendimmarrës dhe t’i vendosë NATO-n dhe KFOR-it përballë përgjegjësisë direkte për ruajtjen e status-quosë. Paralajmërimi për letër zyrtare shënon një përshkallëzim të ri politik, i cili mbart me vete edhe një ekuacion të rrezikshëm sigurie.
Përmes kësaj retorike, Vuçiq synon të arrijë tri objektiva kryesore: Presion mbi KFOR-in dhe implikimi i drejtpërdrejtë i trupave të NATO-s për të bllokuar vendimet sovrane të institucioneve të Kosovës.
Ndërtimi i një narrative ku hapja e urës portretizohet si “kërcënim për sigurinë” dhe stabilitetin e komunitetit serb, duke përdorur frikën si mjet presioni, si dhe faktori i “mbrojtësit” që forcimi i propagandës së brendshme se Beogradi mbetet garantuesi i vetëm i sigurisë dhe i ekzistencës së serbëve në Kosovë”, përfundon ai për “Bota sot”.
Shala: Hapja e saj do të kishte një efekt shumë më të madh sesa thjesht lejimi i qarkullimit të automjeteve: do të dobësonte funksionin e saj si vijë ndarëse. Ndërsa, njohësi i sigurisë, Drizan Shala në një bashkëbisedim me “Bota sot” vlerëson se kundërshtimi i Vuçiqit ndaj hapjes së urës së Ibrit nuk lidhet vetëm me sigurinë, por ka edhe prapavijë politike e strategjike.
Sipas tij, ura simbolizon ndarjen e Mitrovicës dhe hapja e saj do ta dobësonte këtë realitet, duke kufizuar hapësirën e ndikimit të Beogradit në veri të Kosovës.
Drizan Shala “Deklarata e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se do t’i drejtohet sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, me kërkesën që ura kryesore mbi Ibër në Mitrovicë të mos hapet, duhet parë përtej simbolikës së vetë urës. Së pari, pse po e kundërshton Vuçiq hapjen e urës? Sepse ura e Ibrit nuk është thjesht një infrastrukturë rrugore.
Për më shumë se dy dekada ajo është shndërruar në një simbol të ndarjes fizike, politike dhe psikologjike të Mitrovicës. Hapja e saj do të kishte një efekt shumë më të madh sesa thjesht lejimi i qarkullimit të automjeteve: do të dobësonte funksionin e saj si vijë ndarëse. Për Beogradin, ruajtja e kësaj ndarjeje ka edhe vlerë politike.
Një Mitrovicë e ndarë është më e lehtë të paraqitet si dëshmi e një realiteti të pakonsoliduar dhe si argument për nevojën e vazhdueshme të ndërhyrjes së Serbisë në çështjet e veriut të Kosovës. Prandaj, kundërshtimi nuk duhet lexuar vetëm si shqetësim për sigurinë e komunitetit serb. Ka edhe një dimension të qartë politik dhe strategjik ”, tha ai.
Shala vlerëson se kërkesa e Beogradit për ndërhyrjen e NATO-s në çështjen e urës përbën ndërhyrje në një çështje që lidhet me juridiksionin e institucioneve të Kosovës. Sipas tij, Serbia mund të shprehë shqetësime për sigurinë, por nuk mund t’ia transferojë NATO-s vendimmarrjen për infrastrukturën në Kosovë.
“Në thelb, po – nëse kërkesa synon që një autoritet i jashtëm të pengojë një vendim që lidhet me funksionimin e territorit dhe infrastrukturës nën juridiksionin e institucioneve të Kosovës. Serbia mund të shprehë shqetësime për sigurinë e serbëve të Kosovës dhe NATO/KFOR duhet t’i marrë ato seriozisht.
Por ekziston një dallim i rëndësishëm ndërmjet shprehjes së shqetësimit për sigurinë dhe kërkesës për të përcaktuar nëse një infrastrukturë në Kosovë duhet apo nuk duhet të hapet. Në këtë rast, Beogradi po përpiqet ta zhvendosë vendimmarrjen nga niveli institucional i Kosovës drejt NATO-s. Kjo është pikërisht ajo që duhet analizuar me kujdes ”, u shpreh ai.
Në përfundim, Shala thekson se kërkesa e Vuçiqit duhet të merret seriozisht nga NATO, por jo të shndërrohet në veto politike ndaj institucioneve të Kosovës. Sipas tij, nëse nuk ka kërcënime konkrete për sigurinë, ura nuk duhet të mbetet simbol i ndarjes politike. “NATO nuk duhet ta injorojë, por as nuk duhet ta pranojë si urdhër politik.
Qëndrimi më profesional do të ishte: ta dëgjojë, ta vlerësojë në aspektin e sigurisë dhe ta refuzojë çdo përpjekje për ta shndërruar KFOR-in në instrument të vendimmarrjes politike të Beogradit. KFOR-i ka përgjegjësi për sigurinë dhe stabilitetin. Kjo nuk do të thotë se KFOR-i duhet të marrë përsipër kompetencat e institucioneve të Kosovës.
Në fakt, vetë pozicioni evropian ka qenë se ura duhet të hapet, por në koordinim me partnerët e sigurisë. Prandaj, çështja kryesore nuk duhet të jetë “a dëshiron Vuçiqi hapjen e urës?”, por “a ekziston ndonjë kërcënim konkret dhe i verifikueshëm për sigurinë që do ta justifikonte mos-hapjen?” Nëse ekziston një kërcënim konkret, ai duhet të adresohet me masa konkrete sigurie.
Nëse nuk ekziston, atëherë argumenti i sigurisë nuk mund të përdoret si mekanizëm për të ruajtur një ndarje politike. Së katërti, pse Beogradi kundërshton hapjen e urës në një zonë ku institucionet e Kosovës kanë përgjegjësi? Sepse ura ka një vlerë simbolike shumë më të madhe se funksioni i saj fizik.
Hapja e saj do të dërgonte një mesazh të qartë: veriu i Mitrovicës nuk duhet të trajtohet si një hapësirë e veçantë politike dhe e izoluar nga pjesa tjetër e Kosovës. Kjo prek drejtpërdrejt narrativën politike të Beogradit. Në aspektin e sigurisë, duhet të jemi të kujdesshëm të mos e reduktojmë çështjen në një konflikt shqiptar-serb.
Problemi real është nëse një infrastrukturë publike mund të mbahet e mbyllur për një kohë të pacaktuar vetëm sepse është shndërruar në simbol të një konflikti politik. Nga perspektiva e sigurisë kombëtare, mesazhi duhet të jetë i qartë: Institucionet e Kosovës duhet të kenë përgjegjësinë kryesore për rendin publik dhe funksionimin e infrastrukturës në territorin e Kosovës.
KFOR-i duhet të garantojë sigurinë në kuadër të mandatit të tij, ndërsa dialogu politik duhet të trajtojë çështjet politike. Nuk duhet të krijohet një model ku çdo vendim i institucioneve të Kosovës në veri mund të bllokohet përmes presionit politik të Beogradit mbi NATO-n. Kjo do të krijonte një precedent të rrezikshëm.
Në fund, ura e Ibrit nuk është vetëm çështje e betonit, asfaltit dhe qarkullimit. Është test për atë se kush përcakton normalitetin në veri të Kosovës. Nëse siguria garantohet, lëvizja e lirë duhet të jetë objektivi. Nëse ka kërcënime, ato duhet të neutralizohen. Por siguria nuk duhet të shndërrohet në pretekst për ruajtjen e ndarjes politike.
Prandaj, kërkesa e Vuçiqit duhet të trajtohet me seriozitet diplomatik, por jo të lejohet të shndërrohet në veto politike mbi institucionet e Kosovës”, – përmbylli ai për “Bota sot”.
