Për pjesën më të madhe të historisë moderne, teknologjia është përpjekur të imitojë njerëzit. Njerëzit po përpiqen gjithnjë e më shumë të imitojnë teknologjinë. Nga: Joseph de Weck / The Guardian (titulli: It used to be our imperfect bodies that made us insecure.
With AI, it’s our minds as well ) Përkthimi: Telegrafi.com Dy fytyra që m’u shfaqën në Instagram gjatë muajve të fundit, më vunë në dyshim. Njëra i përkiste John Travoltas në Kanë. Tjetra, Carla Brunit gjatë një mbrëmjeje me bashkëshortin e saj, ish-presidentin francez Nicolas Sarkozy. Të dy dukeshin goxha si vetvetja, e megjithatë, të dy dukeshin edhe çuditërisht të panjohur.
Pamja e tyre nxiti spekulime për trajtime kozmetike, ndonëse vetë ata nuk i kanë pranuar kurrë ato. Bruni më parë ka mohuar se e ka bërë atë punë. Sidoqoftë, ndjesia zgjati vetëm një sekondë: një çast parehatie, sikur po shikoja njerëz që ishin bërë përafrime të vetvetes. – Lexo po ashtu: Si po e ndryshon inteligjenca artificiale gjuhën Ka një emër për atë ndjesi.
Në një artikull të vitit 1970, profesori japonez i robotikës, Masahiro Mori, përshkroi atë që e quajti “lugina e mistershme”. Ai zbuloi se robotët që ishin projektuar për t’u dukur sa më njerëzorë, shpesh shkaktonin parehati te njerëzit. Kjo ishte befasuese, pasi përparësia e robotëve humanoidë supozohej të ishte se ne, njerëzit, do t’u besonim më shumë.
Çfarë na frikëson te një robot që pothuajse kalon për njeri? Një shpjegim mund të jetë se ndiejmë rrezik kur ndeshemi me diçka që nuk mund ta kategorizojmë lehtësisht as si njerëzore, as si jonjerëzore. Një shpjegim tjetër është se tiparet që duken “të çuditshme”, si lëkura e shkëlqyeshme ose shprehjet e ngrira, u ngjajnë shenjave të sëmundjes ose të vdekjes.
Për një robot humanoid, shkaktimi i ndjesisë së luginës së mistershme do të thotë dështim. Por, çfarë nënkupton kur atë e shkakton një njeri? Në vitin 1956, filozofi gjermano-austriak, Günther Anders, botoi një përmbledhje esesh me titull The Obsolescence of the Human [ Vjetrimi i njeriut ].
Andersi, bashkëshorti i parë i Hannah Arendtit, argumentonte se përparimi teknologjik do t’i shtynte njerëzit të zhvillonin një formë të re të vetëpërçmimit. Të përballur me përsosmërinë e mallrave të prodhuara në masë, njerëzit do të arrinin të pendoheshin për “ngathtësinë e tyre trupore” dhe “pasaktësinë fizike”.
Ata do të turpëroheshin gjithnjë e më shumë që ishin thjesht rezultat i “procesit të verbër dhe të pallogaritur, tejet arkaik, të riprodhimit”, në vend që të ishin rezultat i një projektimi të kujdesshëm. Andersi shkroi: Çdo ditë nga makinat dalin makina gjithnjë e më të bukura. Vetëm ne mbetemi të keqformuar, vetëm ne lindim të vjetruar.
Por, këtu qëndron thelbi: Andersi parashikoi se njerëzit e frikësuar nuk do ta gjenin forcën për t’u rebeluar kundër objekteve prej të cilave ndihen të poshtëruar. Përkundrazi, ata do të aspironin t’u ngjanin atyre. Do të donin të bëheshin më pak si njerëz dhe më shumë si një produkt: diçka e standardizuar, e optimizuar dhe, po, fjalë për fjalë, “e montuar”.
Pyes veten nëse kemi arritur të jetojmë në distopinë e Andersit. Me rënien e çmimeve, ka një lulëzim të procedurave kirurgjikale kozmetike si në mbarë globin, ashtu edhe në të gjitha grupet demografike.
Dhe, shpesh qëllimi nuk duket se është të “korrigjohen” gabimet e natyrës apo të dukesh natyrshëm – vetëm pak më mirë, duke përvetësuar logjikën e projektimit të produktit, si simetria ose dallueshmëria. Këtë e ofrojnë fytyrat e konturuara dhe buzët me botoks që lidhen me Kim Kardashianin, ose mjekrat me kënde të theksuara që kërkojnë influencerët maskulinë [looksmaxxers].
Por, Andersi ka rëndësi sot për një arsye tjetër përveçse për të kuptuar idealet bashkëkohore të bukurisë. Kompleksi i inferioritetit të njeriut ndaj produkteve që sjellin fitim, të cilin ai e përshkroi, mund të mos kufizohet më vetëm te trupat tanë. Në epokën e IA-së [inteligjenca artificiale], ai po përhapet edhe në mendje.
Sigurisht që mund ta ndiej turpin që përshkroi Andersi kur e krahasoj trurin tim të vogël, të paqëndrueshëm në disponim dhe të ndjeshëm ndaj nxehtësisë me fuqinë e pandalshme dhe gjithmonë të qasshme llogaritëse të IA-së. Nuk është çudi, pra, që katër vjet pas lansimit publik të ChatGPT-së, përdorimi i IA-së po zgjerohet vazhdimisht – ashtu si procedurat kozmetike.
Është një rreth vicioz: sa më e mirë të bëhet IA-ja dhe sa më e aftë të bëhet në imitimin e njerëzve, vetëm pa të metat tona, aq më shumë do t’i perceptojmë mendjet tona si të mangëta. Dhe, aq më shumë do të tundohemi jo vetëm ta përdorim IA-në, por edhe të flasim, të këndojmë dhe të sillemi si teknologjia, në përpjekje për t’u ngjarë shpikjeve tona që nuk dështojnë.
Ky është motori vetëpërforcues i vetëtjetërsimit njerëzor në një epokë të përsosmërisë teknologjike. Një studim i vitit 2025 nga Instituti i mirënjohur gjerman Max Planck për Zhvillimin Njerëzor, i cili vlerësoi 360 mijë video në YouTube dhe 772 mijë podkaste, zbuloi se pas lansimit të ChatGPT-së, njerëzit filluan t’i përdornin shumë më shpesh fjalët e parapëlqyera nga çetboti i IA-së, si delve [gjurmim!], boast [mburrje!] dhe meticulous [pedanteri!] – madje edhe në gjuhën e tyre të folur.
Kështu, nuk është më vetëm fytyra e ribërë përmes një procedure kozmetike. Është mesazhi me tekst nga personi me të cilin ke dalë në takim, që tingëllon çuditërisht stakato. Balada e butë e dashurisë që e ke dëgjuar pa pushim për një javë, derisa kupton se është krijuar nga një program që nuk ka përjetuar kurrë një ndarje të dhimbshme.
Ish-kolegu yt i punës, i cili dikur u përgjigjej letrave elektronike me nga një rresht dhe tani boton tri ese fine në javë në Substack . Ndjesia e luginës së mistershme shfaqet kudo ku fillojmë të dyshojmë në natyrën njerëzore të asaj që qëndron përpara nesh. Ai dyshim, ajo ndjesi e çuditshme nëse ajo që shohim, lexojmë dhe dëgjojmë është vërtet njerëzore apo jo, tani na shoqëron kudo.
Ai dyshim i vazhdueshëm ndoshta po bëhet gjendja përcaktuese e jetës sonë ndërsa hyjmë në çerekun e dytë të shekullit XXI. Teknologjia arrin të na imitojë në mënyrë gjithnjë e më bindëse dhe ne, njerëzit, nuk mund t’i rezistojmë prirjes për t’iu përafruar shpikjeve tona të lavdishme teknologjike.
Teksa si njerëzit ashtu edhe teknologjia zhvendosen në të njëjtën hapësirë hibride gri, lugina e mistershme është tani hapësira ku banojmë. Megjithatë, nuk duhet të përpiqemi ta eliminojmë atë ndjesi të vazhdueshme parehatie. Përkundrazi, duhet të mësojmë ta kultivojmë. Ka shpresë për sa kohë që diçka brenda nesh, ndoshta druri i shtrembër i natyrës sonë njerëzore, zmbrapset nga ajo botë.
Të njohim vetëtjetërsimin tonë do të thotë të fillojmë t’i rezistojmë atij.
