Milani mund të përfshihet në një operacion spektakolar me Manchester Cityn, pasi Jorge Mendes po përpiqet të ndërmjetësojë një marrëveshje shkëmbimi mes dy klubeve, raporton Sport Mediaset.
Sipas raportimit, ideja është që Rafael Leao të transferohet te Manchester City, së bashku me një shumë parash nga Milani, ndërsa në drejtim të “Rossonerëve” do të vinte qendërmbrojtësi portugez, Ruben Dias. Milani prej kohësh po kërkon një zgjidhje për të ardhmen e Leao.
Kontrata e sulmuesit portugez skadon në vitin 2028, ndërsa deri më tani nuk është shfaqur ndonjë klub i gatshëm të paguajë rreth 50 milionë euro plus bonuse për kartonin e tij. Jorge Mendes ka pasur një rol të rëndësishëm në strategjinë e merkatos së Milanit këtë verë.
Agjenti portugez ka qenë i përfshirë në disa operacione të klubit, përfshirë ardhjen e trajnerit Ruben Amorim, transferimin e sulmuesit Goncalo Ramos nga Paris Saint-Germain dhe së fundmi Diego Moreiras nga Strasbourg. Mendes raportohet se ka kaluar tërë pasditen në selinë e Milanit, “Casa Milan”, ku mund të ketë diskutuar edhe për operacionin e mundshëm me Manchester Cityn.
Ideja e tij do të ishte që Leao të transferohej në Angli, ndërsa Milani të merrte Ruben Dias dhe një shumë parash në kuadër të marrëveshjes. Dias, i cili mbushi 29 vjeç në maj, konsiderohet një përforcim i madh për repartin defensiv të Milanit.
Klubi italian tashmë ka afruar Mario Gilan nga Lazio, por kërkon të shtojë edhe më shumë cilësi në mbrojtje për t’i dhënë Amorimit lojtarë të përshtatshëm për filozofinë e tij. Ruben Dias është gjithashtu i lidhur me një transferim të mundshëm te Real Madridi gjatë kësaj vere, ndërsa Manchester City nuk ka dhënë sinjale të qarta se dëshiron ta shesë qendërmbrojtësin.
Portugezi iu bashkua Manchester Cityt nga Benfica në vitin 2020 për 71.6 milionë euro dhe aktualisht ka kontratë me klubin anglez deri në qershor të vitit 2029./ Telegrafi
