Sot bëhet një muaj nga finalja e Botërorit, në të cilën Spanja siguroi yllin e dytë në historinë e saj pas fitores ndaj Argjentinës. Humbja vazhdon të jetë e dhimbshme për kampionët e botës të vitit 2022 dhe presidenti i Federatës Argjentinase të Futbollit, Chiqui Tapia, ka reaguar me një mesazh të fortë në rrjetet sociale. “Ka kaluar një muaj. Një muaj nga ajo finale.
Një muaj nga gënjeshtra”, shkroi Tapia, duke iu referuar pretendimeve se Argjentina ishte dorëzuar qëllimisht në finalen e Botërorit. Kreu i futbollit argjentinas shprehu zemërimin dhe zhgënjimin e tij ndaj personave që, sipas tij, nisën një “fushatë të mjerueshme” për të krijuar idenë se kombëtarja nuk kishte dhënë maksimumin në fushë.
“Gjëja më e habitshme është se, pas një muaji, askush nuk ka kërkuar falje. Askush nuk ka dalë të thotë: ‘Kemi gabuar’. Askush nuk pati ndershmërinë, dinjitetin apo thjesht guximin për të marrë përgjegjësinë”, shkroi Tapia. Ai kritikoi ashpër ata që akuzuan lojtarët pa pasur prova dhe më pas, kur pretendimet nuk u vërtetuan, zgjodhën heshtjen. “Gabimet mund të ndodhin.
Ajo që nuk mund të ndodhë është të gënjesh, të krijosh një histori, të ushqesh dyshime për ditë të tëra dhe, kur koha tregon se gjithçka ishte tym, të fshihesh dhe të bësh sikur nuk ka ndodhur asgjë”, vijoi ai. Tapia u bëri thirrje kritikëve të marrin përgjegjësinë për akuzat e tyre ndaj futbollistëve të Argjentinës.
“T’i quash tradhtarë lojtarët e kombëtares nuk është diçka që mund të harrohet. Nuk mund të ngresh dyshime ndaj atyre që mbrojtën këtë fanellë dhe t’i akuzosh se u dorëzuan, sidomos pa pasur asnjë provë”, theksoi presidenti i federatës. Në pjesën më të fortë të mesazhit, Tapia iu drejtua drejtpërdrejt personave që përhapën këto pretendime: “Si ktheheni në shtëpi pasi keni bërë gjithë këtë?
Si i shikoni fëmijët tuaj në sy dhe u flisni për ndershmërinë, respektin dhe dinjitetin? Si u mësoni se ka vlera që duhen mbrojtur, nëse kur patët mundësinë ta bënit, zgjodhët të gënjenit, të akuzonit dhe të fshiheshit?” Në fund, Tapia mbrojti lojtarët, stafin teknik dhe të gjithë pjesëtarët e kombëtares argjentinase. “Ata e dinë se çfarë bënë atë ditë. E dinë sa shumë dhanë në atë fushë.
Dhe e dinë se kur përfundoi finalja, nuk i detyroheshin asgjë askujt. Ata që dhanë shpirtin nuk kanë asgjë për të shpjeguar. Ata që gënjyen, po.” Nëse vazhdon të përparojë me këtë ritëm, Adri Mehmeti mund të shndërrohet në një alternativë interesante për Kombëtaren shqiptare në vitet e ardhshme.
