Ndërmarrja Publike “Termokos” ka konfirmuar se ka pranuar komunikimin zyrtar të Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), në të cilin janë ngritur shqetësime lidhur me zbatimin e disa obligimeve teknike, procedurale dhe institucionale.
Në një përgjigje për KALLXO.com, “Termokos” ka thënë se çështjet e ngritura nga KfW janë trajtuar në nivel të menaxhmentit dhe Bordit të Drejtorëve, duke theksuar se komunikime të tilla janë pjesë e mekanizmave të rregullt të monitorimit të projekteve të financuara nga institucionet financiare ndërkombëtare.
KfW ka ngritur shqetësime lidhur me gjendjen teknike dhe funksionimin e rrjetit të ngrohjes së Termokosit, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për çështjet që, sipas saj, mund të rrezikojnë asetet e ndërmarrjes dhe funksionimin e rrjetit. Shqetësimet janë paraqitur në një letër drejtuar Bordit të Drejtorëve të Termokosit, të siguruar nga KALLXO.com.
Ndërkaq, sipas ndërmarrjes, shqetësimet e KfW-së kërkojnë trajtim institucional, por nuk paraqesin tregues se projekti ka dështuar. “Termokos” ka mohuar gjithashtu se është diskutuar tërheqja e fondeve të donatorëve nga projekti “Solar4Kosovo II”.
“Në asnjë rast në takimet e rregullta me partnerët ndërkombëtarë, nuk është diskutuar tërheqja e fondeve të donatorëve nga realizimi i këtij projekti.
Përkundrazi, gjatë periudhës së fundit janë ndërmarrë vendime konkrete për adresimin e tyre dhe ndërmarrja mbetet e përkushtuar ndaj zbatimit me sukses të projektit “Solar4Kosovo II” dhe përmbushjes së obligimeve ndaj partnerëve financiarë”- thuhet në përgjigjen e ndërmarrjes.
Një prej çështjeve të ngritura në komunikimin e KfW-së lidhet me funksionalitetin e impiantit të degazifikimit, i cili është pjesë e sistemit të trajtimit të ujit dhe ka rol në mbrojtjen afatgjatë të instalimeve dhe pajisjeve të sistemit të ngrohjes. “Termokos” ka bërë të ditur se kjo çështje është identifikuar dhe është trajtuar në kuadër të përmbylljes së punëve të kontratës përkatëse.
Ndërmarrja ka kërkuar edhe vlerësim profesional dhe teknik për të përcaktuar nëse impianti ka nevojë për riparim, rehabilitim apo ndonjë ndërhyrje tjetër. Pas shqyrtimit të çështjes, “Termokos” thotë se Bordi i Drejtorëve, në mbledhjen e datës , ka miratuar revidimin e buxhetit dhe ndarjen e mjeteve financiare për adresimin e kësaj çështjeje.
“Rrjeti nuk është para ndërprerjes apo kolapsit” Pavarësisht shqetësimeve të ngritura nga KfW, “Termokos” thotë se problemi me degazifikimin nuk duhet të interpretohet si shenjë se rrjeti i ngrohjes qendrore në Prishtinë është para një ndërprerjeje apo kolapsi të menjëhershëm.
“Ky rrjet ka funksionuar edhe në të kaluarën, funksionon edhe tani dhe do të vazhdojë të funksionojë edhe më tutje”- thuhet në përgjigjen e ndërmarrjes. Sipas Termokosit, çështja e degazifikimit lidhet me rritjen e performancës së rrjetit dhe zgjatjen e jetëgjatësisë së tij.
Ndërmarrja ka sqaruar se sistemi është instaluar nga kontraktori i financuar nga Kfë dhe është në operim, ndërsa ndërhyrja e planifikuar synon arritjen e parametrave maksimalë të paraparë me projekt. “Termokos” ka kërkuar që konstatimet për shkaqet teknike dhe periudhat konkrete të funksionimit të bazohen në dokumentacionin operativ dhe vlerësimet profesionale.
Në fund të përgjigjes, “Termokos” ka theksuar se nuk do të lejojë që problemet e evidentuara të pengojnë realizimin e projektit apo të rrezikojnë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë.
Ky reagim i ndërmarrjes publike “Termokos” vjen pasi KfW, në letrën drejtuar Bordit të Drejtorëve të Termokosit, kishte ngritur një sërë shqetësimesh lidhur me gjendjen teknike dhe funksionimin e rrjetit të ngrohjes qendrore, duke kërkuar që çështjet e evidentuara të adresohen.
Një nga çështjet kryesore të ngritura në letërën e KfW- së, ka qenë impianti i degazifikimit, i cili është instaluar dhe financuar në kuadër të një projekti të mëhershëm me Termokosin. Sipas KfW-së, ajo është informuar nga Konsulenti i Implementimit se ky impiant nuk është funksional.
KfW e konsideron këtë problem “jashtëzakonisht kritik” nga aspekti teknik dhe ekonomik, për shkak të rrezikut të korrozionit dhe dëmtimit të rrjetit të ngrohjes.
Ndryshe, më , KALLXO.com kishte raportuar se është shkarkuar bordi i Temokosit dhe është emëruar bordi i ri derisa ekipi i KALLXO.com nuk ishte lejuar ta monitorojë mbledhjen e aksionarëve të Termokosit ku ishte trajtuar kjo çështje.
