Analistët botërorë paralajmërojnë se vitin e ardhshëm pritet krizë serioze në furnizimin me ushqim për shkak të mungesës së plehut artificial. Ndryshe nga nafta, për plehun nuk ka rezerva strategjike. Pa pleh nuk ka rendiment. Pa rendiment nuk ka ushqim. “Kjo nuk është teori e largët, por paralajmërim për vendet që ende nuk kanë plan.
Maqedonia tashmë po e jeton versionin e saj të kësaj krize. Jo nesër. Tani”, thuhet në kumtesën e opozitares LSDM. “Bujqit përsëri negociojnë për çmim që mezi e mbulon mundin. Grumbullimi i specit u ‘zgjidh’ vetëm pasi kriza doli në opinion. Mucunski më pas deklaroi se gjithçka rrjedh sipas pritjeve.
Është e njëjta skemë: fillimisht kaos, pastaj marrëveshje në momentin e fundit, pastaj konferencë për shtyp se problemi është mbyllur. Bujku që ka prodhuar rendimentin nuk jeton nga deklarata. Jeton nga çmimi, afati i grumbullimit dhe pagesa”, thonë nga LSDM. LSDM thekson se subvencionet vonojnë ose janë ulur, ndërsa shpenzimet për karburant, farë, pleh dhe ujitje rriten.
Qumështi blihet me çmime që nuk i mbulojnë shpenzimet bazë, një pjesë e arave mbeten të pambjella, ndërsa importi i ushqimit rritet. “Shteti që mburret me ‘rritje të bujqësisë’ njëkohësisht bëhet gjithnjë e më i varur nga ushqimi i huaj. Kjo nuk është zhvillim, por humbje e sigurisë ushqimore. Ndërsa bota flet për rezerva plehu, tek ne nuk ka as mbrojtje elementare për sezonin e ardhshëm.
Kush do të blejë pleh nëse shteti vonon me paratë? Kush do të mbjellë nëse nuk dihet nëse do të ketë grumbullim? Kush do të investojë në ujitje kur uji është krizë në një qytet, ndërsa kanalet problem në rajone të tjera?” Sipas SDSM, qeveria e shet çmimin e lartë në treg si sukses për bujkun, por qytetarët paguajnë më shtrenjtë për specin, domaten dhe mollën, ndërsa prodhuesi përsëri lufton për 30 ose 40 denarë dhe për atë nëse grumbulluesi do të dalë fare në arë.
“Kjo nuk është politikë. Kjo është hedhje e barrës mbi prodhuesin dhe konsumatorin. Në vend që të jemi lider rajonal në prodhimin e ushqimit, bujqit mezi mbijetojnë. Maqedonia mund të ushqejë rajonin, ndërsa me politikën e OBRM-PDUKM-së nuk do të kemi as për tryezën tonë”, theksojnë nga LSDM.
