Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka paralajmëruar qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar ndaj mesazheve dhe ftesave të dyshimta që qarkullojnë përmes aplikacioneve të komunikimit, veçanërisht atyre që premtojnë përfitime nga investimet.
Sipas BQK-së, qytetarëve u dërgohen mesazhe nga numra ndërkombëtarë, përmes të cilave ftohen të bashkohen në grupe investimi përmes lidhjeve të jashtme. Mesazhet pretendojnë se ofrojnë mundësi të leverdishme në treg, ndërsa në disa raste mund të shoqërohen edhe me paralajmërime nga vetë aplikacioni se përmbajtja mund të jetë keqdashëse.
“BQK thekson se qytetarët duhet të shmangin klikimin në lidhje të panjohura, veçanërisht në dhënien e të dhënave personale apo financiare dhe kryerjen e pagesave në bazë të këtyre ftesave”, thuhet në njoftim.
Për të shmangur rrezikun e mashtrimeve financiare, BQK u rekomandon qytetarëve të: -ruajnë të dhënat e kartelave dhe të mos i ndajnë ato përmes e-mailit, SMS-it apo telefonit me persona të paautorizuar; -mos hapin lidhje të dyshimta dhe të mos klikojnë në mesazhe që kërkojnë veprim të menjëhershëm; -mos kryejnë pagesa dhe të mos vendosin të dhëna bankare përmes lidhjeve të dërguara në SMS; -përdorin vetëm faqet zyrtare dhe aplikacionet e verifikuara të bankave; -aktivizojnë njoftimet për transaksionet dhe të kontrollojnë rregullisht historinë e pagesave dhe transferave; dhe -raportojnë menjëherë çdo mesazh të dyshimtë te banka ose institucioni financiar.
BQK ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e konsumatorëve dhe rritjen e ndërgjegjësimit të publikut lidhur me rreziqet nga mashtrimet financiare dhe kërcënimet ndaj sigurisë digjitale. Mesazhi i BQK-së vjen si paralajmërim për qytetarët që të mos bien pre e ofertave të dyshimta për investime dhe të mos ndajnë të dhëna bankare përmes kanaleve të pasigurta.
