Manu Kone vazhdon të jetë një nga lojtarët më të rëndësishëm në projektin e Romës, por interesimi nga Premier League mund të sjellë zhvillime të reja në ditët e fundit të merkatos. Sipas Corriere dello Sport, Manchester United po përgatit një ofertë që mund të merret në konsideratë nga drejtuesit verdhekuq.
Megjithatë, Roma dhe trajneri Gian Piero Gasperini kanë qenë të qartë: çdo ofertë nën 50 milionë euro do të refuzohet. Pavarësisht se kanë mbetur vetëm 13 ditë deri në mbylljen e merkatos, klubi anglez duket i gatshëm të provojë të bindë Romën për transferimin e mesfushorit francez. Vetë lojtari nuk duket se është i gatshëm të largohet lehtësisht nga Roma.
Koné është i predispozuar të refuzojë ofertat nga klubet që do të interesohen për të, me një përjashtim të vetëm: Paris Saint-Germain. Mesfushori francez ka një lidhje të veçantë me klubin parisien dhe do ta konsideronte ndryshe një ofertë nga PSG. Në rast të një transferimi, megjithatë, Koné do të kërkonte edhe një përmirësim të ndjeshëm të pagës.
Aktualisht, ai përfiton rreth 2.8 milionë euro neto në sezon, ndërsa kontrata me Romën është e vlefshme deri në vitin 2029.
