Trump i pezullon përkohësisht tarifat për importet kanadeze

0%

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar të martën vonë se ka vendosur t’i pezullojë për tre ditë tarifat e reja prej 50% që në mesnatë do të hynin në fuqi për mallrat kanadeze, duke thënë se të dy vendet kanë arritur marrëveshje, raporton Reuters .

Një orë më vonë, kryeministri kanadez, Mark Carney, ka thënë në një deklaratë se “është bërë përparim i konsiderueshëm, megjithëse ka ende punë të rëndësishme për t’u bërë”. Trump ka shkruar në postimin e tij në Truth Social se i ka pezulluar tarifat “bazuar në faktin se Kanadaja dhe SHBA-ja, në varësi të finalizimit të dokumenteve, kanë një marrëveshje”.

Trump dhe Carney kanë folur në telefon të martën pasdite – biseda e tyre e dytë këtë javë – dhe negociatorët e tyre janë përfshirë që disa javë në bisedime intensive dhe pa hollësi të publikuara. “Ndërsa ne vazhdojmë këtë punë, Kanadaja mbetet e përqendruar në ndërtimin e një ekonomie më të fortë, më të pavarur dhe më konkurruese në vend”, ka thënë Carney në deklaratën e tij.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Zyra e Përfaqësuesit të Tregtisë së SHBA-së, Jamieson Greer, ka thënë se marrëveshja do të përfshijë “qasje gjithëpërfshirëse në treg për të gjitha mallrat amerikane, angazhime për sigurinë ekonomike, harmonizim të tregtisë digjitale” dhe dispozita të tjera.

Në një deklaratë të postuar në faqen e internetit të Shtëpisë së Bardhë, Trump ka thënë se kishte marrë zotimin e Kanadasë për adresimin e shqetësimeve amerikane lidhur me tarifat mbi produktet e qumështit, pijet alkoolike dhe automjetet. Zyrtarët amerikanë nuk kanë dhënë hollësi të mëtejshme dhe qeveria kanadeze nuk ka konfirmuar asnjë pjesë të përmbajtjes të marrëveshjes eventuale.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

Burimi: Kallxo