Analisti dhe veprimtari Halil Geci ka reaguar pas takimit mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, duke shprehur shpresën se mund të gjendet një zgjidhje për situatën politike në vend, veçanërisht për çështjen e presidentit të ardhshëm.
Në një shkrim të publikuar pas takimit, Geci ka lënë të kuptohet se nëse arrihet një zgjidhje që, sipas tij, i shërben interesit të Kosovës, do të ndryshojë edhe qëndrimin e tij ndaj Abdixhikut. “Me sa duket, do t’i dalë dikush zot atdheut! Nëse ndodh kështu, Lumirit do t’i kërkoj falje dhe do t’ia kthej emrin nga ‘Dada Lume’ në Lumir” , ka shkruar Geci.
Ai ka komentuar edhe emrat që po përmenden si kandidatë të mundshëm për postin e presidentit të Kosovës. “Nga katër emrat që po përmenden për President të Kosovës, Ilaz Ramajli, Haki Demolli, Ibrahim Berisha dhe Fatmir Sejdiu, secili meriton respekt maksimal”, ka shkruar ai, duke i cilësuar si figura që “nuk shiten e nuk blihen” dhe që kanë lënë gjurmë në jetën publike të Kosovës.
Megjithatë, Geci ka propozuar edhe një emër tjetër për këtë pozitë – Anton Kolën. “Por unë do t’ua propozoja edhe një emër tjetër, që besoj se ia vlen të rreshtohet përkrah tyre: Anton Kola”, ka deklaruar ai. Sipas Gecit, nëse Kosova është në kërkim të një figure për postin e presidentit, duhet të marrë në konsideratë persona që kanë dinjitet, integritet dhe autoritet.
“Nëse Kosova po kërkon një figurë që mund ta përfaqësojë me dinjitet, integritet dhe autoritet, atëherë edhe ky emër meriton të merret seriozisht në konsideratë” , ka shkruar ai. Në fund, analisti ka theksuar se presidenti i ardhshëm, sipas tij, duhet të jetë mbi interesat partiake.
“ Kosovës i duhet një President që i del zot shtetit dhe interesit të tij, jo interesave të partive” , ka përfunduar Geci.
