Një grua është bërë cak i një grabitjeje në mes të ditës në Fushë Kosovë, ku një person dyshohet se e ka sulmuar teksa po hynte në banesën e saj dhe ia ka marrë me forcë zinxhirin nga qafa, mëson Sinjali. Ngjarja ka ndodhur më 18 gusht, rreth orës , në rrugën “Besa Besë”, në objektin banesor “Efro Luki 2”. Sipas informacioneve që ka mësuar Sinjali, viktima është E.E., rreth 66-vjeçare.
Ajo ka deklaruar se, derisa po hynte në ashensor për të shkuar në banesën e saj, një person i panjohur i është afruar nga prapa. I dyshuari dyshohet se fillimisht ka vendosur këmbën te dera e ashensorit për ta penguar mbylljen e saj, e më pas e ka kapur gruan për fyti dhe ia ka marrë zinxhirin që mbante në qafë.
Pas grabitjes, i dyshuari është larguar me vrap nga objekti, ka hipur në një veturë të bardhë dhe është larguar në drejtim të panjohur. Viktima nuk ka pësuar lëndime trupore, por për shkak të shqetësimit të shkaktuar nga ngjarja ka pranuar trajtim mjekësor.
Policia ka nisur menjëherë veprimet hetimore dhe ka arritur të identifikojë automjetin që dyshohet se është përdorur gjatë grabitjes – një Renault i bardhë. Vetura më pas është lokalizuar e braktisur në afërsi të hekurudhës, ndërsa hetuesit kanë arritur të identifikojnë dhe arrestojnë personin që dyshohet se e kishte drejtuar atë. Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për F.
K., rreth 33-vjeçar, i cili është shoqëruar në Stacionin Policor në Fushë Kosovë. Pas konsultimit me Prokurorin, rasti është iniciuar si “Grabitje”, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të sqaruar rolin e personave të përfshirë dhe rrethanat e plota të ngjarjes. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
