Kisha vite pa ardhur, aq sa tashmë vetja më dukej i huaj e gjithçka me të cilën ballafaqohesha më dukej si një ëndërr, që s’dihet kur e kisha parë e harruar. Në horizont u shfaq Munella si nuse e lazdruar, hedhur mbi krye një shtresë bore të bardhë si shamia e ndonjë vashe. Shtëpitë malësore si pika loti të ndritshme në një fytyrë të hijshme.
Nëna ishte plakur shumë e në kokën e saj nuk kishte mbetur asnje fije floku pa u zbardhur si borë maleve. Natyrisht unë kisha pjesën time në këtë thinjje dhe plakje të saj. Kushedi sa netë e ditë e kishte vajtuar mungesën time. Si një gjethe i ishin tharë qepallat. E tëmthat sikur kishin zënë myshk, myshk i harlisur.
Nuk kishte faj, unë kisha ikur dy ditë pasi e kisha përfunduar fakultetin. Atë vit jehonash kur para meje ishte shfaqur rruga plot pengesa e mistere e zot duhej t’i dilje vetes. Kisha ikur pa e ditur se ku po më çojnë dallgët e jetës. Kur ishim ndarë ishte kohë e ligë. Në udhëkryqin e jetës ishim ngulur e kishte pritur gjatë.
Eh si kishte qënë ajo natë, me besim të humbur, me trishtim deri në pagjumësi, por unë kisha vendosur t’i drejtohesha tragetit në portin e Durrësit. E pasi kisha mundur të kacavaresha mbi të, grahma resh të mërzitshme dhembshurie kishin marrë jetë brenda meje. Vetëm unë e di si kishin filluar të bien një nga një lotët e mi, e bashkë me to kishte notuar dhe kujtimi yt e dashura ime.
Unë po e braktisja strofkën tonë intime. E bashkë me mua mes dallgëve notonte dhe kujtimi yt. Për të humbur një herë e përgjithmonë. Vitet iknin e çdo vit këngën ta nisja me zogun e parë të verës, ani se ti nuk iu përgjigje asaj më asnjëherë. Për të më lënë vetëm njëherë e përgjithmonë. Kështu kishte nisur kalvari i jetës sime. Ditët ishin të gjata si rrugët për në vendlindje.
E pas kësaj sa pak lumturi kishte mbetur për ne, dhe për mua dhe për nënën time. Ti e dashura ime ishe shuar diku në kujtimet e largëta. Për ty s’e di, s’e di por e ndjej e dashura ime të kisha lënë vetëm në strofkën tonë intime pa askënd. Po cili burrë do të vinte të ndizte kandilin e shuar të zemrës tënde. E ti do t’i rrëfesh atij, mua shokun tënd të humbur.
Unë kisha humbur pa asnjë shenjë. E duke e hedhur mendimin herë tek ti e herë tek ime më, ndonjëherë më merrte trishtimi me vete e më gërryente deri në eshtër. Atëhere gjumi bënte tortura me mua, më klithnin fjalët e më vajtonin mendimet. Në ankth më ngacmonin zëra të çuditshëm. Zëra natorë që përpushen e i trembur iki larg prej tyre.
Ndërsa ti ndoshta më vajtoje fshehurazi diku afër kthesës në lagjen e vjetër. Nëna ndoshta lutet me lot në faqe. Fantazmë fotografia jote në murin e dhomës time të ftohtë. Kur dita vjen, dielli vinte fytyra fytyra, përmbi dhe në krahët e korbave vritej diku nën re.
Vitet iknin e pas njëzet e pesë viteve kthehesha që të mos e humbja dhe time siç kisha humbur ty, apo tim atë që ishte shuar e unë s’kisha mundur të vija as ditën e varrimit të tij. Eh… kur u pashë sërish me time ëmë prej ëndrrës vijmë thashë. Mençuri e vuajtjes ha veten. Lulet djersijnë prej mallit.
E ky mall më kishte gërryer ngadalë, siç ndyshku konsumon hekurin e unë ndjeja mall dhe për lëmyshkun e shkëmbinjve. Sa nevojë kishim pasur për njëri- tjetrin kaq vite nana ime. Tash që po të rishihja kisha nevojë t’i ktheje shpirtin shakasë së vjetër. Boll kisha dëgjuar zëra nator që përpusheshin. Por zëri yt i ëmbël nuk ishte ai i dikurshmi, dukej sikur ishte shuar si një tingull.
Eh… sa kisha pasur unë nevojë për atë zë të ëmbël; për një xixëllonjë ka nevojë bota. Kaq vite nuk kisha mundur të gjej një harabel që të më printe drejt vendlindjes, drejt teje. Ti që kishe qënë një zonjë e vërtet tashmë ishe plakur, thinjur e shakaja e vjetër të kishte ikur, të kishte brakur larg, Tani që isha këtu para teje ndjehesha si i huaj, si i largët.
Fëmijët e vegjël të vëllezërve kishin mbaruar universitet e kishin të dashura apo të dashurit e tyre. Dy nuse të reja kishin ardhur në shtëpinë tonë.
Por nëna donte të shihte dhe nusen time të munguar për të cilën kishte një brengë të madhe në zemër, e krejt ashtu siç kisha unë një brengë për tim atë që kishte vdekur e ishte varrosur prej vëllezërve të mi e të tjerëve njerëz, po unë nuk kisha ardhur dot për ta përcjellë. Nëna më kishte pritur siç pret drita diellin.
Edhe pse kisha ardhur shpesh sa isha në shkollë prej këtu kisha ikur fëmijë, e tashmë ndjeja mbi shpatulla peshën e viteve. Ndjehesha i huaj siç gjithë jetën isha ndjerë edhe në emigracion.
Arat, livadhet, përroi, mulliri i vjertër i përkisnin fëmijërisë time, e pas kësaj rinia i përkiste një tjetër vendi e të tjera kujtimeve, pastaj universiteti dhe jeta studentore, natyrisht me këtë vend më lidhnin pushimet. Jeta në emigracion tërësisht i huaj. Në fund të arave dikur kishte qenë mulliri i vjetar e unë kur vija me pushime shpesh e gjeja atje tim atë duke bluar në mulli.
Por ai ishte shembur e prej tij kishin mbetur veç dy gurët e mëdhenj. Im ata kish vdekur po fjalët e tij tash kacavirren nëpër të gjitha mendimet e mia e nuk ikin, lënë shijen e tyre nëpër mua e bëhen ai shija e fjalëve të tij, të pa shkulura brenda meje. Kjo pashkulje e ky perceptim ma kanë lënë shpirtin vramë. Ulem mbi njërin prej gurëve të mullirit me shikimin nga dielli.
Im atë nuk është më. Xhepi është plot, por shpirti bosh. Po sikur ta ngre mullirin sërish në kujtim të tij. Ai ndoshta do të më ngushëllonte sadopak. Kështu ndoshta nga që kisha qënë kaq vite largu kisha dashur të çmallem me gjithçka por asgjë nuk më mbushte. Ditët iknin, një gjë më mungon e nuk e di se çfarë krijonte këtë boshllëk.
Më thirrën një ditë vëllezerit të më tregonin tokat e mia që s’kishin asnjë ndryshim me të tyret; dikush i kishte krasitur e ishte kujdesur për pemët,vijat në krye të arave ishin hapur e mbajtur me kujdes. Unë dëgjoja se si i kishin ndarë e më kishin lënë pjesën time. Këtu ke pjesën tënde më kishin thënë njëzëri. Unë kisha heshtur.
Në darkë ishim mbledhur të gjithë; nëna në krye të tavolinës fliste pak e unë pranë saj; ajo vështronte drejt meje, e donte të ma jepte dhe racionin e saj për ta ngrënë, se unë për të nuk isha si motrat e vëllezërit e tjerë të mi, ndoshta ngaqë kisha qënë kaq vite larg, apo nga që po plakesha pa pasur bashkëshorten time, jo më si vëllezërit por as si nipërit e mi. -Ti këtu ke tokat e tua, më tha nëna në një moment kur nuk e prisja.
Ashtu siç të ka takuar. Vëllezërit vështruan njëri-tjetrin ndërsa unë heshta pak çaste dhe vështrimin e ngula në thinjat e saj. -Mund të zgjedhësh ku të duash, ani, ne i ndamë si na e mori mendja, tha vëllai i madh. Ti merr njërën prej pjesëve që të të duket më e përshtatshme.
Ti ke bërë aq shumë që fëmijët tanë të shkollohen, ndoshta ke vuajtur për vete që t’u dërgosh atyre para në universitete. Kurrë nuk i ke harruar e u ke dërguar vazhdimisht dhurata çdo ditëlindje.
Vështroja si i ngrirë, mbushur brenda vetes me mall e nuk flisja. -Po ti fol një fjalë bre burrë foli vëllai tjetër, na thuaj nëse diku të prishet qejfi; ne kemi pasur mall të të shohim, po deshi zoti e erdhi kjo ditë. Ne të gjith të kemi pritur. E ndala frymën e brenda vetes më erdhi një dufmë vaji, por e mbajta veten. E mora gotën e rakisë dhe e ktheva njëherësh.
Të gjithë e dinin se unë kurrë s’e kisha pirë një teke raki. Vështrimet e tyre u ngulën mbi mua . -Dëgjoni, fillova të flas ngadalë sikur të kisha mbi shpinë njërin prej gurëve të mullirit. Jam i kënaqur që jeni mirë e jetoni të lumtur. Krejt çka kam këtu është qielli përmbi krye.
Natyrisht ju të gjithve që më vleni sa krejt bota, ty nënë që të kam plakur e të kam bërë të thinjesh para kohe. Vështrimet e tyre ngultasi shihnin brenda meje. -Nëse ju nuk keni ndonjë kundërshtim unë dua vetëm një copë vend, këtu në cepin e oborrit, vetëm sa të ndreq një mulli siç e kishim herët mullirin që ka pas ndërtuar babai në përrue.
E përdorni dhe si magazinë jo një mulli që të punojë pse tash kohët kanë ndryshuar por që ta kemi si kujtim të babait tonë. -Jemi dakord thanë të dy vëllezërit njëzëri. Gjithçka e rregulloj unë, dy gurët nuk ishin dëmtuar; edhe punëtorët i marrim e i paguaj unë, as mulliri nuk më hyn në punë e nuk do të jetë për mua, për ju do të jetë. E kështu u mbyll ajo natë.
Nëna kishte heshtur e nuk kish folur më asnjë fjalë, që kur unë kisha thënë se doja të ndërtoja një mulli në oborr. Pa përfunduar mirë darka ajo ishte ngritur e kishte shkuar në dhomën e saj. Të nesërmen unë u ngrita shpejt e kështu i kërkova vëllait që të shkonim e të gjenim puntorë që i morën dy gurët e mëdhenj të mullirit e i nxorën nga përroi e i sollën në oborrin e shtëpisë.
E rrafshuan vendin dhe e bënë gati që të hidhnim themelet. Unë kërkova që të gjejnë një usta të mirë. Nëna shkonte e vinte, dukej se diçka nuk e linte të qetë e diçka donte të më thoshte, po nuk po dinte nga t’ia gjente fillin. -Sonte jeni për darkë nga unë tha vëllai i dytë. – Jo tha nëna, sonte unë do të ha darkë vetëm me tim bir, a thua se të tjerët nuk ishin të saj dhe zuri në gojë emrin tim.
Unë isha befasuar pa masë. Do të hamë darkë si herët biri im, do të ta gatuaj vetë edhe bukën e misrit do ta pjek në çerep. Po… -Nuk ka po, ndërhyra unë, unë sonte do të ha darkën vetëm me nënën dhe me askënd tjetër,- thashë prerë e ashtu u bë. U futëm në dhomën e vjetër në katin e parë të kullës së dikurshme e nëna si e bëri darkën u ulëm të hamë.
E shihja se e ka një merak e mendja më kishte vajtur se ajo donte të kishte një grua për mua e unë të kisha fëmijët e mi. Ani mendova bëjmë si bëjmë e nuk ia thyej zemrën. -Dëgjo më tha nëna, bash kur ishim rehatuar. Gjithë jetën more bir të pata si një brengë në shpirt.
Kurrë nuk ma bëre fjalën dysh, e nuk ma theve zemrën, po tani unë dua të të them diçka të vogël dhe pse nuk dua të ta prish. -Do të rregullohem dhe unë nënë,- thashë unë duke menduar se ajo po fliste për gruan time të munguar. -Dëgjo biri im nëse nuk të prishet qejfi a nuk po e le pa rregullue mullirin në oborr . -Pse moj nënë, unë nuk po bëj diçka të keqe pastaj unë nuk është se dua një mulli për vete, por po e rregulloj në kujtim të tim eti.
Ai do të jetë i të gjithëve, kurrë nuk do të jetë i imi. Mos i ngelet qejfi ndokujt? -Nuk bën me u rregullue në oborr mulliri tjetërkund e ka vendin.
Edhe pse mullirin e ndertonte një njeri, ai në momentin që fillon me bluejt është i të gjithëve, kurrë mullini nuk ka qënë i një njeriu biri im, po kjo nuk ka rëndësi.Natyrisht që nuk i ngelet qejfi askujt, ti po e sheh që të gjithë të respektojnë e të duan, askush nuk ta bën fjalën dysh, aq më tepër që ti ke sakrifikuar për të gjithë, po mullini nuk e ka vendin në oborr.
Mulliri duhet rregulluar atje ku ishte, nëse do ta rregullosh e ta ndërtosh një mulli. Natyrisht unë nuk dua të ta prish. Po jo në oborr, po në përrue. Mulliri është ai vend ku njerëzit bluajnë atë që hanë, pra prej asaj rrokullime gurësh shpëtohet shpirti i njeriut.
Kush më shumë se mulliri e di se kush martohet e se ku është marrë gruri për bukën e dasmës së djalit të dëshirit e kush vdes. Kush ka bukë për mikun e kush nuk ka bukë për fëmijën. Kush ka mort e kush ka dasëm. Kush ha bukë misri e kush ha bukë thekre. -E ç’të keqe ka pastaj moj nënë që mullirin ta bëjmë në oborr. -Jo bre bir.
Duke e mbledhë e pastrue rrokulloret e mullirit mullisaku veç pak mundet me marrë prej bukës se të papasurit e mëkati është shumë i madh, pra ia ka marrë një kafshatë të vorfnit, jetimit, të papasunit. Aty te mullisaku fle gjaksi pasi e ka krye vrasjen, pse prej andej mundet me ikë ma parë se ngado tjetër.
Mullisaku mëkaton tue marrë miellin e fukarasë a tue ju qep një nusje të re me e shnderue. Te mullini zanë fillë ngatërresat ndër njerëz. Të parët kur donin me thanë se kuvendi nuk ashtë siç duhet, thoshin se u ba kuvendi mulli.
Mullini e ka vendin në përrue biri im; edhe qoftë largu thonë se rri në përrue, vetëm përroi i merr teposhtë mëkatet e ia ngarkon në shpinë qoftëlargut që përruen e ka vendin e vet.
Yt atë e të parët tanë kanë ditë mjaft mirë me e ndërtue aty ku ti po do me e ndërtue mullirin, por nuk ban, ata e kanë ndërtue në vend të vet, pra në përrue rranzë ujëvarës që teposhtë t’i marrë përroi mëkatet, të bamet e të pabamet. Të thënat e të pathënat. Mëkatin e pamëkatin .
Heshta pa ditur çfarë të them. -Ti biri im ke jetuar ndër ato vende ku mëkati bredh qytetit e ulet këmbkryq ndër çdo tavolinë, e ku miku e armiku nuk kanë fort ndryshim, ku dreqi dhe i biri janë bash kopje e njëri tjetrit. Ku e drejta dhe e padrejta kanë pak dallim. -Eh si qenka kjo punë, thashë unë.
Mullirin e ndërtova atje tek ujëvara, në fund të arave tona, në përrue, dhe rrallë shkojmë atje, bile askush nuk shkon atje edhe pse kujdesen dhe e mirëmbajnë ndoshta për hatrin tim. Askujt si hyn në punë veç në hyftë në punë … Sa herë vete atje, veshët më buçasin fort sikur rrotullohen gurët, e rrokullima e tyre më shoqëron deri sa mbërrij në kullë…
Gjithnjë më kujtohet ajo fjali: mulliri dhe qoftëlargu e kanë vendin në përrue…
