Migjen Kelmendi përsëriti refrenin e tij pesëvjeçar, sipas të cilit “Albin Kurti do ta nënshkruajë asosacionin dhe do të ikë nga Kosova”! E kemi dëgjuar këtë arsyetim për shumë vite, sidomos prej shkurtit të vitit 2023, kur u pranua marrëveshja e Brukselit. Ka plot do të…, me te cilat analistët dhe mediet e Edi ramës në Prishtinë dhe në Tiranë sulmojnë kryeministrin e Kosovës.
Dikush shkruante dje se “Albin Kurti afrohet me Athinën dhe distancohet nga Tirana”! Edhe kjo është një alibi asimetrike e cila nuk thotë asgjë të vërtetë, përveçse spekullim me emrat, me vizitat e pushimet e Kurtit në Greqi e kaq. Asnjë fakt, asnjë provë, asgjë të vërtetë dhe të saktë.
Sepse e vërteta dhe më e sakta lidhet me faktin se është Edi Rama ai që është distancuar nga Kosova dhe jo Kosova nga Shqipëria. Se Edi Rama është distancuar nga Kurti dhe nga Kosova, këtë e dinë të gjithë. E dinë ta që kanë njohuri për përpjekjet e Ramës për ndarjen e Kosovës, për Open Balkan, për mbështetjen e një fronti anti-Kurti në Kosovë e me radhë.
Por Rama ka një mjeshtëri të modelit serb: – Hedh gurin e fsheh dorën. Gjithçka e kryen me një fshehtësi perfide, me qëllim që publiku të mos e shohë gurin që bie në mes të Prishtinës. Mund të hamendësojnë njerëzit, por sipas autokratëve hamendjeve u bëhet halli. Kjo është e vërteta e distancimeve midis Tiranës dhe Prishtinës.
Ndërkaq Athina është e duhet të jetë cak i çdo kryemministri në Kosovë. Sepse është nyja kyçe e njohjeve të plota europiane. Nëse thyhet akulli në Athinë, atëherë kjo ndodh zingjir edhe në Nikozia, Madrid, Bratislavë dhe Bukuresht. Dukuria e diversionit dhe luftës hibride kundër Albin Kurtit ka një substancë. Ta mundin atë me hamendje, me supozime dhe me hipoteza.
Opozita e Kosovës thoshte para zgjedhjeve të fundit se “Albini nesër do ta shkelë kushtetutën”! I bënë thirrje madje edhe qytetarëve të dilnin për ta mbrojtur kushtetutën. Cilën kushtetutë? Atë që po krijon sot ngërçin e formimit të institucioneve. Por kjo është temë tjetër.
Kur seanca parlamentare mbaroi pa votim në raundin e tretë të kandidatit për presient dhe kësisoj vendi shkoi në zgjedhje, askush nga opozita nuk kërkoi ndjesë që nxiti qytetarët për dhunë kundër qeverisë. Edhe pse kushtetuta nuk u shkel. U zbatua me rigorozitet. Migjeni tani thotë se Kurti do ta nënshkkruajë asosacionin e do të ikë si refugjat nga Kosova.
Duhet të jesh i çmendur ta thuash se Kurti ikën refugjat nga Kosova. Por edhe duhet të jesh Baba Wanga të thuash se Kurti do ta nënshkruajë asosacionin. As njëra dhe as tjetra nuk janë fakte, nuk përbëjnë dëshmi, janë jo vetëm hamendje, por haluçinacione në kokën e atyre që e urrejnë kryeministrin e Kosovës.
Dhe urrejtja më e madhe arrihet kur mbrohen interesa personale, saktësisht kur personi që urren ka frikë për të ardhmen e vet. Ka frikë për ushtrimin e të drejtës ligjore ndaj pasurisë së vënë në mënyrë hileqare. Nuk e di nëse Migjeni e ka këtë problem apo jo. Por e di se ata të cilëve u shërben Migjeni e kanë problemin e sekuestrimit të pronave që ata kanë vënë në mënyrë të paligjshme.
Kur blen një hektarë tokë me 300 euro dhe sërishmi pas disa javësh ia shet blersit, pra shtetit, me 500 mijë euro, duke shfrytëzuar pushtetin, atëherë ti ke shkel mbi gjakun e dëshmorëve nga pikëpamja morale dhe ke shkelë ligjin nga pikëpamja juritike. Kjo është frika e shumë opozitarëve, të cilët i kanë kapur partitë e tyre për fyti dhe nuk e lenë Kosovën të ketë institucione.
Për këtë soj politikanësh dhe atyre si Migjeni që u shkojnë pas është më mirë të shkatërrohet Kosova sesa të shpronësohen kriminelët në politikë. Prandaj përdorin hipotetikën për ta çuar vendin në luftë civile. Edi Rama ua ka mësuar mirë formulën: – Sa më e madhe rrena, aq më e besueshme bëhet ajo! Por Rama e ka eksperiencën në Shqipëri. Kosova është krejt tjetër.
Në Kosovë mund të keqpërdoret rrena për pak kohë, por nuk merr mbështetje pse e thotë Migjeni apo kushdo tjetër.
