Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka konfirmuar raportimin e Gazetës Sinjali për aksionin kundër fajdesë në Prizren, duke bërë të ditur se gjatë aksionit janë arrestuar tre persona. Kryeziu ka bërë të ditur se aksioni është ende duke u zhvilluar dhe se janë duke u bastisur disa lokacione në Prizren.
“Jam në aksion dhe jam në udhëheqje të aksionit, jemi në bastisje të disa lokacioneve, kështu që më shumë në këtë fazë nuk mundemi me dhanë. Është e hershme me dhanë detaje. Janë arrestu tre persona”, tha Kryeziu për Sinjalin. Aksioni është duke u zhvilluar në kuadër të dyshimeve për veprimtari të fajdesë.
Më herët, Gazeta Sinjali raportoi se gjatë aksionit njëri prej të dyshuarve kishte tentuar të largohej nga vendi i ngjarjes me automjet. Sipas Policisë së Kosovës, gjatë ikjes ai kishte shkaktuar dy aksidente, duke goditur fillimisht një këmbësor dhe më pas duke shkaktuar edhe një aksident tjetër.
I dyshuari ishte arrestuar, ndërsa Policia dhe Prokuroria po vazhdojnë veprimet lidhur me rastin. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
