S HBA-ja dhe Kanadaja po zhvillojnë bisedime intensive në përpjekje për të shmangur vendosjen e tarifave të reja prej 50 për qind ndaj rreth 20 miliardë dollarëve mallra kanadeze. Tarifat pritet të hyjnë në fuqi në orën të së mërkurës, nëse dy vendet nuk arrijnë një marrëveshje.
Kryeministri kanadez Mark Carney i përshkroi negociatat si “shumë intensive dhe delikate”, ndërsa të hënën zhvilloi edhe një bisedë telefonike me presidentin amerikan Donald Trump.
Masat e kërcënuara nga Trump do të preknin një gamë të gjerë produktesh kanadeze, ndërsa Shtëpia e Bardhë kërkon që Kanadaja të blejë më shumë pajisje ushtarake amerikane, përfshirë avionët luftarakë F-35, si dhe të rrisë qasjen e SHBA-së në mineralet kritike.
Nga ana tjetër, Kanadaja kërkon lehtësim nga tarifat ekzistuese amerikane për çelikun, aluminin dhe lëndën e drurit, raporton Euronews, transmeton Sinjali. Sipas analistëve, as Washingtoni dhe as Ottawa nuk duket se duan që tarifat e reja të hyjnë në fuqi, pasi ato do të rrisnin kostot për importuesit amerikanë dhe, përfundimisht, edhe për konsumatorët.
Rreth 72 për qind e eksporteve kanadeze të mallrave vitin e kaluar u drejtuan drejt SHBA-së, duke e bërë marrëdhënien tregtare mes dy vendeve veçanërisht të rëndësishme. Trump po përdor një dispozitë të Ligjit Tarifor të vitit 1930 për të justifikuar tarifat prej 50 për qind.
Sipas kësaj dispozite, presidenti amerikan mund të vendosë tarifa të larta ndaj vendeve që konsiderohen se diskriminojnë bizneset amerikane. Tensionet vijnë në një moment kur të dyja vendet po përgatiten të rinegociojnë marrëveshjen tregtare SHBA-Meksikë-Kanada.
Ministri kanadez i Tregtisë, Dominic LeBlanc, u takua të hënën me përfaqësuesin amerikan për tregtinë, Jamieson Greer, duke thënë vetëm se “puna po vazhdon”. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
