Më shumë se 1.200 pacientë onkologjikë kanë aplikuar në thirrjen për mbështetje financiare, ndërsa pagesa për të gjithë ata që i kanë plotësuar kushtet është përfunduar ose do të përfundojë gjatë ditës së nesërme, informoi kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski.
Ai theksoi se çdo aplikim i pranuar është shqyrtuar me kujdes dhe përkushtim, me qëllim që ndihma të arrijë tek ata që e kanë më së shumti nevojë. “Ekzistojnë momente kur fjalët nuk mjaftojnë. Momente kur njerëzillëku nuk matet me atë që themi, por me atë nëse i japim dorën dikujt kur i është më e vështirë“, tha Gjorgjievski.
Thirrja për mbështetje financiare është ende e hapur, që do të thotë se pacientët që i plotësojnë kushtet dhe deri tani nuk kanë aplikuar, mund ta bëjnë këtë.
Gjorgjievski nënvizoi se pas çdo numri qëndron një njeri dhe një familje që përballet me një betejë të vështirë jetësore, prandaj mbështetja institucionale, sipas tij, nuk duhet të mbetet vetëm në fjalë. „Detyrimi ynë njerëzor dhe institucional është të jemi pranë bashkëqytetarëve tanë jo vetëm me fjalë, por me vepra konkrete, kujdes dhe mbështetje“, theksoi kryetari.
Ai shtoi se qëllimi është që asnjë pacient dhe asnjë familje të mos ndihen të vetmuar në periudhën kur u është më e vështirë.
