Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka reaguar për situatën në veri dhe zhvillimet e sigurisë në rajon, duke thënë se rreziku juridik për Kosovën është më i madh se më parë. Gashi ka theksuar nevojën për forcimin e pozitës juridike dhe ndërkombëtare të Kosovës, si dhe ruajtjen e raporteve me aleatët. “Raportet speciale me aleatët nuk janë luks politik.
Janë interes jetik dhe garanci e sigurisë së Kosovës ”, ka shkruar Gashi, duke kërkuar institucione të fuqishme dhe strategji të qartë shtetërore.
Postimi i Gashit: Kur thoja se gjendja faktike në veri ka ndryshuar, dhe se detyra jonë është ta ruajmë këtë status quo të re, ta përmirësojmë dhe njëkohësisht të luftojmë për ta forcuar pozitën juridike të Kosovës, shumëkush më sulmonte, madje edhe nga brenda. Sot, rreziku juridik është më i madh se më parë. Bisedimet janë më të ndjeshme e më të rrezikshme.
Ndërsa arkitektura e sigurisë botërore po ndryshon dhe kjo do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në rajonin tonë. Prandaj Kosovës i duhet maturi, strategji dhe përgjegjësi shtetërore. Duhet ta ruajmë atë që kemi arritur, ta forcojmë pozitën tonë juridike e ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, të jemi të përgatitur për çdo zhvillim. Raportet speciale me aleatët nuk janë luks politik.
Janë interes jetik dhe garanci e sigurisë së Kosovës. Në kohë pasigurie, shteti nuk udhëhiqet me emocione. Udhëhiqet me vizion, maturi dhe guxim. Prandaj na duhen institucione të fuqishme, me vizion të qartë dhe program konkret politik, ekonomik dhe të sigurisë. Kosova nuk ka nevojë për improvizim.
Ka nevojë për shtet që mendon përpara, që parashikon rreziqet dhe që di t’i mbrojë interesat e saj.
