Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar për 25 raste të reja të fruthit gjatë javës së fundit në Kosovë. IKShPK ka njoftuar se, gjatë periudhës 16 prill – , në Kosovë janë raportuar gjithsej 137 raste të konfirmuara me fruth.
Sipas komunave, numër më i lartë i rasteve raportohet nga komuna e Prishtinës me dyzet e shtatë (47) raste, Fushë-Kosovë me tridhjetë e katër (34) raste; Ferizaj me dymbëdhjetë (12) raste; Obiliq me nga tetë (8 ) raste; Kaçanik me shtatë (7) raste; Lipjan me shtatë (7) raste; Skenderaj, Vushtrri, Drenas me nga tre (3) raste; Gjilan, Shtime, Shtërpce dhe Deçan me nga dy (2) raste; si dhe me nga një (1) rast komunat: Gjakovë, Graçanicë, Mitrovicë, Podujevë dhe Viti.
Në njoftim thuhet se ekipet e vaksinimit në komunat me numrin më të lartë të rasteve të fruthit (Prishtinë, Fushë Kosovë, Ferizaj, Obiliq, Vushtrri dhe Skenderaj), kanë intensifikuar aktivitetet, me ç‘rast kanë vaksinuar me MMR gjithsej 276 fëmijë të vonuar për vaksinim sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit.
“IKShPK rekomandon që çdo person me simptoma të dyshimta të fruthit, si temperaturë e lartë, skuqje apo ndryshime në lëkurë, kollë, rrufë ose konjuktivit, të paraqitet menjëherë në institucionet më të afërta shëndetësore”- thuhet në njoftim.
Ndërsa tutje theksohet se duke pasur parasysh infektueshmërinë e lartë të fruthit, rrezikun e përhapjes së tij në komunitet dhe komplikimet që shkakton fruthi, IKShPK u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe të sigurojnë vaksinimin sipas Kalendarit të rregullt të vaksinimit në qendrat e mjekësisë familjare.
Sipas IKShPK-së, vaksinimi mbetet mënyra më e sigurt dhe më efektive për parandalimin e fruthit, uljen e përhapjes së sëmundjes në komunitet dhe mbrojtjen e shëndetit publik.
