Arkitektura e propagandës: Si mediat pro-Vuçiq e mbajnë gjallë

0%

Në Serbi, propaganda nuk është thjesht mënyra se si pushteti e tregon veten. Ajo është mënyra se si ndërtohet një realitet i tërë politik, se kush duhet të shihet si armik, kush si viktimë, kush si tradhtar dhe kush si mbrojtës i shtetit.

Përmes titujve, imazheve, deklaratave dhe përsëritjes së pandërprerë të të njëjtave narrativa, politika hyn çdo ditë në shtëpitë e miliona qytetarëve, shpesh shumë përpara se ata të kenë mundësi ta pyesin se çfarë fshihet pas saj. Në këtë realitet, Kosova nuk është vetëm një çështje politike apo diplomatike.

Ajo është një prej mjeteve më të fuqishme për prodhimin e frikës, mobilizimin e emocioneve dhe konsolidimin e pushtetit. Sa herë që shfaqet një krizë, një incident apo një përplasje politike, ajo mund të shndërrohet në material për një narrativë të gatshme: Serbia është nën kërcënim, serbët janë viktima dhe pushteti është mburoja e fundit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Kjo nuk është një histori për një titull të vetëm apo për një lajm të vetëm. Është historia e një makinerie që funksionon përmes përsëritjes, aq shpesh, aq gjatë dhe aq gjerësisht, sa një interpretim politik mund të fillojë të duket si vetë realiteti.

Në qendër të këtij mekanizmi qëndron një ekosistem i fuqishëm mediatik i ndërtuar dhe konsoliduar gjatë viteve të pushtetit të Aleksandar Vuçiqit, ku kufiri mes propagandës politike dhe raportimit informativ shpesh bëhet gjithnjë e më i vështirë për t’u dalluar.

Të dhënat e Freedom House për vitin 2026 e përshkruajnë mjedisin mediatik serb si të karakterizuar nga propagandë ekstreme dhe manipulim të fakteve në tema të caktuara, përfshirë edhe politikën ndaj Kosovës. Organizata thekson gjithashtu ndikimin e shtetit dhe të partisë në pushtet mbi mediat private, përmes reklamave, subvencioneve indirekte dhe marrëdhënieve ekonomike.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se çdo medium në Serbi është pjesë e së njëjtës skemë. Problemi qëndron te struktura, sepse kur një numër i madh platformash me audiencë të gjerë përsërisin të njëjtën kornizë politike, hapësira për një debat real dhe pluralist ngushtohet. Në këtë sistem, Kosova mbetet një prej mjeteve më të fuqishme të mobilizimit emocional.

Propaganda moderne nuk ka nevojë gjithmonë të shpikë një ngjarje. Shpesh mjafton të zgjedhë se cilin element të saj do ta vendosë në qendër të vëmendjes. Një incident në veri të Kosovës mund të raportohet si problem sigurie, si mosmarrëveshje politike ose si episod i një konflikti më të gjerë.

Por, kur e njëjta ngjarje përshkruhet vazhdimisht përmes fjalëve si “terror”, “spastrimi”, “sulm ndaj serbëve” apo “provokim i Prishtinës”, audienca nuk merr vetëm informacion, por edhe një interpretim të gatshëm. Megjithatë, debati për propagandën nuk duhet të kufizohet vetëm te pyetja nëse një titull është i rremë.

Pyetja më e rëndësishme është se çfarë realiteti ndërtohet kur mijëra tituj, fotografi, deklarata dhe komente e përsërisin të njëjtën ide, duke manipuluar në mënyrë periodike. Një prej mekanizmave më të fuqishëm të kësaj makinerie është personalizimi i politikës.

Një analizë e Raskrikavanje për mbulimin mediatik gjatë vitit 2025 nxjerr në pah përmasat e propagandës dhe manipulimit në një pjesë të mediave tradicionale serbe. Monitorimi i gjashtë gazetave të konsideruara pranë pushtetit – Alo, Informer, Srpski telegraf, Politika, Večernje novosti dhe Kurir – evidentoi 1,863 tekste manipuluese vetëm në faqet e para gjatë vitit.

Në këtë mozaik mediatik, Aleksandar Vuçiq zë një hapësirë të jashtëzakonshme. Presidenti serb u shfaq më shumë se 1,000 herë në faqet e para të këtyre gazetave, por ajo që bie veçanërisht në sy është mënyra se si u paraqit. Asnjë prej këtyre paraqitjeve nuk ishte negative. Shifrat e gazetave janë po ashtu domethënëse.

Alo kryeson me 529 tekste manipuluese, pasuar nga Informer me 399, Srpski telegraf me 294, Politika me 253, Veçernje novosti me 197 dhe Kurir me 191. Këto të dhëna sugjerojnë se kemi të bëjmë me më shumë sesa raste të izoluara të raportimit tendencioz.

Ato dëshmojnë ekzistencën e një modeli të përsëritur editorial, në të cilin pushteti, veçanërisht presidenti Vuçiq, paraqitet në mënyrë sistematikisht pozitive, ndërsa kundërshtarët politikë dhe aktorët e perceptuar si kërcënim ndaj tij vendosen në një kornizë dukshëm më negative.

Në këtë kuptim, faqet e para të këtyre gazetave nuk funksionojnë vetëm si hapësirë informimi, por edhe si një instrument për formësimin e perceptimit publik dhe të agjendës politike. Kjo sugjeron ndërtimin e një figure politike që paraqitet njëkohësisht si garantuese e stabilitetit dhe si viktimë e sulmeve të vazhdueshme.

Nga njëra anë, ai paraqitet si lideri që “mbron Serbinë”, ndërsa nga ana tjetër si politikani që përballet vazhdimisht me presion nga jashtë dhe me kundërshtarët e brendshëm. Kur kjo logjikë zgjerohet edhe te Kosova, çdo krizë mund të shërbejë si dëshmi e re se Serbia është e rrethuar dhe se pushteti ka nevojë për mbështetje.

Kosova ka një avantazh propagandistik që pak tema të tjera e kanë, sepse ajo kombinon historinë, identitetin kombëtar, territorin, sigurinë dhe emocionin. Për këtë arsye, një zhvillim në Kosovë nuk ka nevojë të jetë domosdoshmërisht i madh për të marrë peshë të jashtëzakonshme në diskursin serb. Mjafton që ai të përshtatet me një narrativë ekzistuese.

Në këtë narrativë, serbët në Kosovë paraqiten si një komunitet i pambrojtur, Prishtina si burimi kryesor i presionit, ndërsa Perëndimi si një aktor që e toleron ose e mbështet këtë situatë. Rasti i Banjskës në shtator të vitit 2023 tregoi se sa shpejt mund të ndërtohet një interpretim politik rreth një ngjarjeje të sigurisë.

Në vend që debati publik të përqendrohej vetëm te faktet e verifikueshme, hapësira mediatike u mbush me tituj emocionalë, akuza dhe interpretime që e vendosnin ngjarjen brenda një narrative më të gjerë të viktimizimit serb. Një tjetër element i rëndësishëm është përdorimi i gjuhës së alarmit. Fjalët përcaktojnë reagimin e publikut përpara se ai të ketë kohë ta analizojë ngjarjen.

Një titull alarmues nuk kërkon reflektim, por reagim të menjëhershëm. Kjo është arsyeja pse formulimet që sugjerojnë luftë, terror, sulm, tradhti apo katastrofë shfaqen kaq shpesh në tabloidet politike. Ato e zhvendosin vëmendjen nga faktet drejt emocionit.

Në rastin e Kosovës, kjo strategji ka një funksion të dyfishtë, sepse e forcon ndjenjën e kërcënimit dhe njëkohësisht e legjitimon nevojën për një udhëheqje të fortë. Propaganda nuk thotë vetëm se “Kosova është problem”. Ajo ndërton një ekuacion më të gjerë, sipas të cilit Kosova paraqitet si kërcënim, Serbia si një shtet nën presion dhe Vuçiqi si mbrojtësi i vetëm i mundshëm.

Nëse një medium përsërit për ditë të tëra një akuzë ndaj Kosovës, edhe mediat kritike detyrohen të flasin për të. Kjo është fuqia e vërtetë e propagandës, sepse jo domosdoshmërisht të bindë, por të përcaktojë se për çfarë duhet të flitet.

Freedom House gjen se gazetarët në Serbi përballen me kërcënime, presion editorial, probleme ekonomike dhe presion nga aktorë politikë dhe media të lidhura me pushtetin. Në qershor të vitit 2025, Vuçiqi i cilësoi raportimet e N1 dhe Nova S si “terrorizëm të pastër”, duke përmendur edhe mundësinë e ndërhyrjes së prokurorisë.

Kjo shkaktoi shqetësim te organizatat e gazetarëve dhe te Platforma e Këshillit të Evropës për Sigurinë e Gazetarëve. Megjithatë, kjo gjë nuk e shqetëson aspak Vuçiqin, pasi ai vazhdon të veprojë në të njëjtën mënyrë, me të njëjtin skenar. Dëshiron që me çdo kusht ta ruaj pushtetin.

Një prej paradokseve të kësaj narrative është se rëndësia e saj nuk varet gjithmonë nga zhvillimet reale në Kosovë. Ajo rikthehet sa herë që pushteti ka nevojë për një temë mobilizuese.

Analiza e Raskrikavanje tregon se e njëjta logjikë nuk është përdorur vetëm ndaj Kosovës, por edhe ndaj protestave studentore dhe opozitës, të cilat shpesh paraqiteshin si kërcënim dhe si pjesë e një komploti më të gjerë. Në këtë sistem hyn edhe ndikimi i narrativave ruse.

Narrativat që e paraqesin Perëndimin si hipokrit, NATO-n si kërcënim, Ukrainën si instrument të fuqive të jashtme dhe Kosovën si produkt të një komploti perëndimor krijojnë një terren ku interesat propagandistike të Moskës dhe të Beogradit mund të përputhen. Për Kosovën, sfida nuk është vetëm ajo që mediat pro-Vuçiqit thonë për të.

Sfida është fakti se një pjesë e madhe e publikut serb mund të ekspozohet vazhdimisht ndaj një versioni të ngushtë të realitetit, ku Prishtina paraqitet pothuajse gjithmonë si burimi i krizës dhe çdo kompromis shihet si dobësi. Dialogu kërkon të paktën një minimum të realitetit të përbashkët.

Kur palët nuk debatojnë vetëm për zgjidhjet, por edhe për vetë faktet bazë, kompromisi bëhet shumë më i vështirë. Në këtë kuptim, propaganda nuk është thjesht një problem mediatik. Ajo është edhe një problem politik, sepse ndikon në hapësirën brenda së cilës mund të mendohet dhe të diskutohet një zgjidhje për Kosovën.

Mediat pro-Vuçiqit nuk kanë nevojë të shpikin çdo ditë një histori të re për Kosovën. Mjafton që ta mbajnë gjallë idenë se Serbia është gjithmonë nën kërcënim, se serbët janë gjithmonë viktima dhe se pushteti është gjithmonë mburoja e fundit.

Kështu funksionon makina e propagandë, jo duke prodhuar një gënjeshtër të vetme dhe të madhe, por duke prodhuar çdo ditë një realitet të vogël, i cili përsëritet aq shumë, sa fillon të duket i pakundërshtueshëm.

Për sa kohë që Kosova mbetet një prej simboleve më të fuqishme të identitetit dhe të pasigurisë në politikën serbe, ajo do të vazhdojë të jetë një prej karburanteve më të rëndësishme të kësaj makinerie./Telegrafi.

Burimi: Telegrafi