Qeveria e Venezuelës dhe disa nga sektorët e opozitës janë bërë bashkë për një kërkesë të pazakontë: kthimin e rreth 31 tonëve ar, me vlerë rreth 3.45 miliardë euro, që prej vitit 2018 ruhen në kasafortat e Bankës së Anglisë. Marrëveshja mes palëve u arrit pas dy javësh bisedimesh të ndërmjetësuara nga SHBA-ja.
Ari synohet të përdoret për rindërtimin e vendit pas tërmeteve të 24 qershorit, të cilat, sipas shifrave të fundit, kanë shkaktuar mbi 6 mijë viktima. Ari venezuelian ka mbetur i bllokuar në Londër prej vitesh, pasi Mbretëria e Bashkuar ndaloi njohjen e qeverisë së Venezuelës në vitin 2018. Që atëherë, kontrolli mbi rezervat është bërë pjesë e një beteje ligjore që ende nuk ka marrë fund.
Sipas marrëveshjes së re, lirimi i arit do të bëhej vetëm pasi të vendosen mekanizma të rreptë kontrolli. Fondet do të depozitoheshin në llogari të Departamentit amerikan të Thesarit dhe do t’i nënshtroheshin auditimeve nga kompani ndërkombëtare. Paratë do të orientoheshin në ndërtimin e banesave, qendrave shëndetësore dhe shkollave në zonat e prekura nga tërmetet.
Nga ana tjetër, opozita ka kërkuar transparencë për përdorimin e parave, duke synuar që fondet të mos përfundojnë në duart e qeverisë pa kontroll dhe mbikëqyrje. Ndërkohë, ekonomia venezueliane po përballet me një situatë të rënduar. Inflacioni mujor u rrit në 19.9% në korrik , nga 13.8% në qershor, ndërsa ekonomistët e vlerësojnë inflacionin vjetor në rreth 575% .
Qeveria e presidentes Delcy Rodríguez po kërkon gjithashtu qasje në rreth 3.97 miliardë euro në të ashtuquajturat të Drejta Speciale të Tërheqjes nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Ndërkohë, borxhi sovran i Venezuelës vlerësohet në rreth 206.9 miliardë euro , duke e bërë ristrukturimin e borxhit një prej proceseve më të mëdha të këtij lloji. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
