Gjykata në Prizren shpall fajtor një person për luftim të qenve, e

0%

Gjykata Themelore në Prizren e ka shpallur fajtor personin me inicialet I.K. për pjesëmarrje ose organizim të luftimit të qenve, duke e dënuar me 300 euro gjobë. Lajmi është bërë i ditur nga Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve, i cili ka njoftuar se rasti është iniciuar pas kallëzimit penal të dorëzuar nga kjo organizatë.

“Gjykata Themelore në Prizren e ka shpallur fajtor I.K. për pjesëmarrje ose organizim të luftimit të qenve dhe e ka dënuar me gjobë prej 300 euro”, thuhet në njoftimin e Fondacionit. Nga kjo organizatë kanë shprehur zhgënjim për faktin se, sipas tyre, rastet e luftimit të qenve deri më tani kanë rezultuar vetëm me dënime me gjobë.

Megjithatë, e kanë vlerësuar faktin që gjykata ka konstatuar fajësinë e të dënuarit. “Ndonëse mbetemi të zhgënjyer që deri më tani, rastet e luftimit të qenve kanë rezultuar vetëm me dënime me gjobë, e vlerësojmë faktin që gjykata e ka njohur veprën e shkaktuar dhe ka konstatuar fajësinë e të pandehurit”, thuhet në reagim.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Fondacioni ka ngritur shqetësimin se në raste të tilla, krahas dënimit, nuk po përfshihen edhe masat që, sipas organizatës, parashihen me ligj, përfshirë konfiskimin e kafshëve dhe ndalimin e personit të dënuar për mbajtjen e tyre në të ardhmen.

“Megjithatë, mbetet shqetësuese që në këto raste, pavarësisht se gjykatat kanë konstatuar fajësinë për luftim të qenve, në aktgjykime nuk po përfshihen edhe masat e parapara me ligj, konkretisht konfiskimi i kafshëve dhe ndalimi i personit të dënuar për mbajtjen e kafshëve në të ardhmen”, thuhet në njoftim.

Sipas Fondacionit, Neni 16 i Ligjit Nr. 08/L-188 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Kodit Penal parasheh konfiskimin e kafshëve dhe ndalimin e personit të dënuar për mbajtjen e tyre. Organizata ka bërë thirrje që në rastet e ardhshme të luftimit të qenve të zbatohen, përveç përgjegjësisë penale, edhe masat e tjera të parapara me ligj.

“Zbatimi i plotë i këtyre dispozitave është i domosdoshëm si masë parandaluese, për të shmangur përsëritjen e veprave të tilla dhe për të parandaluar që kafshët të ekspozohen përsëri ndaj të njëjtit abuzim dhe të njëjtit cikël të keqtrajtimit”, ka theksuar Fondacioni.

Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve ka bërë të ditur se po angazhohet për forcimin dhe krijimin e mekanizmave shtesë institucionalë, me qëllim që kafshët e abuzuara të mund të konfiskohen dhe të mos mbeten te personat që i kanë keqtrajtuar.

Në fund, organizata ka falënderuar qytetarët që raportojnë rastet e abuzimit me kafshë, duke theksuar se raportimi është i rëndësishëm për hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të tilla.

Burimi: Telegrafi