Kriza institucionale në Kosovë nuk është më vetëm një ngërç politik për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja. Sipas analistit dhe publicistit Nehat Hyseni, vendi po përballet me një krizë më të thellë të interpretimit, respektimit dhe zbatimit të Kushtetutës.
Në një prononcim të tij, Hyseni thotë se çdo veprim i bartësve të funksioneve kushtetuese duhet të matet jo vetëm me qëllimin politik, por mbi të gjitha me bazën kushtetuese të atij veprimi. “Republika e Kosovës ndodhet tashmë përballë një prej situatave më të ndërlikuara institucionale të periudhës së pasluftës” , thotë Hyseni për ‘Bota sot’.
Ai e sheh si të domosdoshëm dialogun ndërmjet partive politike, por ngre pikëpyetje për mënyrën dhe kapacitetin institucional në të cilin ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, i ka ftuar partitë opozitare në takim.
“Problemi fillon pikërisht te statusi institucional i personit që e bën ftesën, te kapaciteti juridik në të cilin ajo vepron dhe te forma institucionale e këtij komunikimi” , thekson Hyseni. Sipas tij, pyetja kryesore është se në çfarë cilësie Haxhiu i fton partitë politike. “Nëse ftesa bëhet si deputete e një partie, atëherë kemi të bëjmë me një iniciativë politike partiake.
Nëse bëhet si ushtruese e detyrës së Presidentes, atëherë kërkohet një standard edhe më i lartë i neutralitetit institucional” , shprehet ai. Nehat Hyseni Hyseni thekson se në një republikë kushtetuese, funksioni përcakton kompetencën, ndërsa kompetenca përcakton kufijtë e veprimit.
“Nuk mund të pranohet logjika: ‘Meqë qëllimi është i mirë, atëherë çdo mjet është i lejuar!’ Kjo do të ishte pikërisht logjika që Kushtetuta synon ta parandalojë”, deklaron Hyseni. Një prej çështjeve që, sipas Hysenit, kërkon sqarim institucional është raporti ndërmjet statusit të deputetes së Kuvendit dhe ushtrimit të përkohshëm të funksionit presidencial.
Ai i referohet neneve 72 dhe 90 të Kushtetutës, duke theksuar se ekziston një “tension i dukshëm normativ” që duhet interpretuar në mënyrë sistemike. “Kjo nuk do të thotë automatikisht se ekziston shkelje. Përkundrazi, kjo tregon se Kushtetuta ka krijuar një përjashtim ose mekanizëm të posaçëm kushtetues, i cili duhet interpretuar në mënyrë sistemike” , thotë Hyseni.
Sipas tij, çështja duhet të trajtohet edhe nga Gjykata Kushtetuese. “Pyetja akademike nuk duhet të jetë vetëm: ‘A është kjo gjë e lejuar?’, por: ‘Cilat kompetenca mund të ushtrojë një deputet që njëkohësisht ushtron përkohësisht funksionin presidencial dhe cilat kompetenca kërkojnë neutralitet të plotë institucional?’”, shprehet ai.
Në analizën e tij, Hyseni e cilëson si “paradoks politik” rolin e Haxhiut në situatën aktuale. “Një ushtruese e detyrës së Presidentes duhet të jetë institucion i shtetit, jo instrument i një partie politike” , thekson ai. Sipas Hysenit, nëse Haxhiu i fton partitë në emër të institucionit të Presidentit, duhet të bëhet e qartë baza kushtetuese e kësaj nisme.
“Nëse ajo përdor autoritetin e ushtrueses së detyrës së Presidentes për të negociuar një marrëveshje ndërmjet partive, atëherë lind pyetja nëse po vepron si arbitër institucional apo si aktor politik? ”, pyet Hyseni.
Ai shton: “Në një republikë normale, Presidenti duhet të jetë pjesë e zgjidhjes së krizës, por jo pjesë e një partie të krizës!” Hyseni ndalet edhe te afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit, duke theksuar se rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit u certifikuan më 8 korrik dhe afati 30-ditor përfundoi më 7 gusht. “Ky është fakt juridik !”, thekson ai.
Megjithatë, sipas tij, duhet shmangur interpretimi se pas skadimit të këtij afati Kuvendi automatikisht pushon së ekzistuari apo deputetët humbin mandatet. “Kushtetuta nuk e thotë këtë” , shprehet Hyseni.
Ai kërkon që Gjykata Kushtetuese të japë përgjigje autoritative për një sërë çështjesh, përfshirë statusin juridik të deputetëve pas skadimit të afatit 30-ditor, vazhdimin e seancës konstituive, kompetencën për thirrjen e saj dhe mundësinë e zgjedhjes së organeve të Kuvendit. “Këto nuk janë pyetje për debat televiziv, por janë pyetje për interpretim kushtetues”, t hotë Hyseni.
Duke komentuar insistimin që seanca konstituive të vazhdojë në intervale të shpeshta, përfshirë çdo 48 orë, Hyseni thotë se kjo çështje duhet parë përtej aspektit politik. “Seanca çdo 48 orë nuk është zgjidhje në vetvete ”, deklaron ai.
Sipas tij, kushtetutshmëria nuk nënkupton vetëm insistimin që Kuvendi të mblidhet, por që ai të mblidhet nga organi kompetent, në kohën dhe mënyrën e parashikuar dhe në përputhje me rregullat kushtetuese. “Numri i seancave nuk e zëvendëson kompetencën kushtetuese. Një seancë e paligjshme, edhe nëse përsëritet dhjetë herë, nuk bëhet kushtetuese vetëm nga përsëritja” , thekson Hyseni.
Hyseni sjell edhe shembuj nga vende të tjera evropiane që kanë kaluar nëpër kriza të gjata institucionale. Ai përmend Belgjikën, e cila pas zgjedhjeve të vitit 2010 qëndroi për një kohë të gjatë pa një qeveri të re të plotë, por vazhdimësia e institucioneve nuk u ndërpre. “Kriza politike nuk duhet të shndërrohet në krizë të vazhdimësisë shtetërore” , thotë ai.
Edhe për Holandën, Hyseni vë në dukje përdorimin e mekanizmit të qeverive kujdestare si instrument për ruajtjen e funksionalitetit të shtetit. “Partitë mund të zihen, por institucionet nuk duhet të zihen. Partitë mund të dështojnë të bëjnë koalicion, por shteti nuk mund të mbetet pa mekanizma funksionalë” , shprehet ai.
Ndërsa duke iu referuar Spanjës dhe Italisë, Hyseni argumenton se krizat politike duhet të zgjidhen përmes procedurave kushtetuese dhe jo përmes improvizimeve. Në pjesën tjetër të analizës, Hyseni paralajmëron kundër personalizimit të Kushtetutës dhe përdorimit të saj sipas interesave politike.
“Kushtetuta nuk është e Kurtit, Haxhiut, Abdixhikut, Krasniqit, Haradinajt apo e ndonjë lideri tjetër. Ajo është mbi të gjithë! ”, deklaron ai. Ai kërkon që Kuvendi të mos shndërrohet në “arenë të luftës partiake” dhe që interpretimet kushtetuese të mos ndryshojnë sipas pozicionit politik të aktorëve.
“Seanca çdo 48 orë nuk është zgjidhje në vetvete” , përsërit Hyseni, duke shtuar se procedura nuk mund të jetë zëvendësim i marrëveshjes politike.
Si rrugëdalje nga kriza, Hyseni propozon një “pakt institucional” që, sipas tij, duhet të përfshijë interpretim urgjent kushtetues, ndarje të qartë të funksioneve, dialog ndërpartiak, konsultime për një president konsensual, ulje të retorikës konfliktuoze dhe reformë kushtetuese pas përfundimit të krizës. “PDK, LDK, AAK dhe LVV duhet të dialogojnë.
Por dialogu duhet të ketë një agjendë të qartë: konstituimi i Kuvendit → formimi i institucioneve → funksionimi normal i shtetit”, thotë Hyseni. Ai vlerëson se edhe çështja e presidentit duhet të trajtohet paraprakisht, në mënyrë që të mos bëhet nyja e radhës e krizës.
“Nëse zgjedhja e Presidentit bëhet nyja e ardhshme e krizës, partitë duhet të fillojnë paraprakisht konsultimet për një kandidat që mund të sigurojë besim më të gjerë” , shprehet ai. Në përfundim, Hyseni thotë se asnjëra palë nuk mund të konsiderohet fituese nëse nga përplasja politike dëmtohen institucionet e shtetit.
“Kosova sot nuk ka nevojë për një fitues të krizës, por realisht ka nevojë për fundin e krizës”, thekson ai. Sipas Hysenit, dobësimi i Kushtetutës nuk mund të konsiderohet fitore politike. “Nëse një lider e ruan pushtetin, por dobësohet Kushtetuta, kjo nuk është fitore shtetërore.
Nëse opozita e bllokon shumicën, por për këtë bllokim dëmtohet funksionimi i Republikës, edhe kjo nuk është fitore demokratike ”, deklaron ai. Hyseni vlerëson se edhe ftesa e Albulena Haxhiut për dialog mund të shndërrohet në një mundësi për zgjidhjen e krizës, por vetëm nëse bazohet në parime të qarta institucionale.
“Nëse dialogu përdoret për të anashkaluar paqartësitë kushtetuese, atëherë ai mund të prodhojë një paradoks të ri: një përpjekje për ta zhbllokuar shtetin duke e thelluar pasigurinë kushtetuese !”, përfundon Hyseni.
Ai e mbyll analizën me një mesazh të qartë: “Mandat për të qeverisur, jo licencë për të bllokuar; mandat për të përfaqësuar, jo autorizim për të kapur institucionet, mandat për të fituar zgjedhjet, por jo të drejtë për ta vendosur partinë mbi Kushtetutën.”
