Hayden Panettiere publikoi vetëm tre muaj para vdekjes kujtimet e saj, “This Is Me: A Reckoning”, një rrëfim i sinqertë ku aktorja fliste hapur për jetën e saj personale, varësinë, traumën, dhunën në familje dhe vështirësitë që përjetoi që në moshë të re në Hollywood.
Panettiere, e cila ndërroi jetë në moshën 36-vjeçare, e kishte përshkruar librin si një mënyrë për të treguar historinë e saj nga këndvështrimi i saj. Gjatë promovimit të kujtimeve, ajo pranoi se vendimi për t’i bërë publike këto përvoja nuk kishte qenë i lehtë, shkruan DailyMail.
“Një nga gjërat që më frikësonte më shumë kur vendosa nëse do ta shkruaja këtë libër, ishte të dija gjithçka që do të vinte bashkë me të”, kishte rrëfyer aktorja. Ajo tha se në fund kuptoi se ishte më e rëndësishme të ndante historinë e saj dhe të niste një proces të ri përballjeje me të kaluarën.
Një nga temat më të dhimbshme për të ishte humbja e vëllait të saj, Jansen Panettiere, i cili ndërroi jetë në vitin 2023 në moshën 28-vjeçare. Hayden kishte treguar se gjatë shkrimit të librit e kuptoi edhe më qartë peshën që mbante prej asaj humbjeje. “Sa herë që flas për vëllain tim të vogël, ende shpërthej në lot.
Koha mund të shërojë shumë gjëra, por në këtë rast, dhimbja ime duket se ndryshon me kalimin e kohës. Është diçka që nuk do ta kapërcej kurrë”, ishte shprehur ajo. Panettiere kishte folur gjithashtu për dëshirën për të qenë e sinqertë pa dëmtuar njerëzit që ishin pjesë e historisë së saj. “Më duhej të tregoja të vërtetën time – dhe ajo është vetëm e imja”, kishte thënë aktorja.
Kujtimet, të publikuara më 12 maj, morën reagime pozitive nga lexuesit dhe njerëz të industrisë. Pak muaj më vonë, vdekja e papritur e Panettiere e ka bërë librin edhe më domethënës, pasi aty ajo kishte zgjedhur të linte pas rrëfimin e saj personal për një jetë të kaluar mes famës, dhimbjes dhe përpjekjes për t’u ringritur.
