U ekstradua nga Britania një ditë më parë, GJKKO lë në burg Xhuljano

0%

Gjykata e Posaçme vendosi lënien në fuqi të arrestit me burg ndaj 31-vjeçarit të ekstraduar ditën e djeshme nga Britania Xhuljano Hoxha, nën akuzë si pjesë e grupit kriminal që kultivoi 870 kg kanabis në Drenovicë të Beratit, operacion që u krye që në nëntor të 2022.

Para gjyqtarit Bib Ndreca dhe prokurores Elida Kaçkini, Hoxha nuk ka folur në gjykatë, teksa u mbrojt nga avokati i caktuar nga shteti Arben Peçi i cili kërkoi një masë më të butë sigurie. Hoxha u prangos në Angli në tetor të vitit të shkuar, ndërsa arresti me burg u caktua prillin e kaluar nga GJKKO.

Gjatë operacionit të vitit 2022, në Berat u ndaluan 105 persona, ku 95 ndër to ishin gra që ishin punësuar për të pastruar hashashin.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sera ishte në pronësi të Hamdi Dylit, e cila ishte ndarë në 4 pjesë, secila me një sipërfaqe prej 2 dynym. 11 persona u vunë në pranga, ndërsa nën hetim u vunë edhe 57 efektivë të policisë së Beratit, mes tyre edhe drejtues të lartë. 7 punonjës u përjashtuan përjetësisht nga radhët e bluve.

Prokuroria e Beratit shpalli moskompetencë dhe ia kaloi dosjen SPAK-ut, duke thënë se aktiviteti drejtohej nga 2 grupe kriminale. GJKKO ka dënuar para disa muajsh me 111 vite e 8 muaj burg 17 persona ku më i larti ishte për 2 drejtuesit e grupit kriminal, Sadetin Hasajn dhe Blerim Xhekën, të cilët janë dënuar me nga 8 vite e 8 muaj burgim.

Burimi: Bota Sot