Aventura e Rodrit te Barcelona është gati të nisë. Pas marrëveshjes së arritur mes klubit katalunas dhe Manchester Cityt për transferimin e mesfushorit spanjoll, për një shumë prej 65 milionë eurosh plus bonuse, fituesi i “Topit të Artë” 2024 po përgatitet të zbarkojë në Kataluni. Sipas asaj që raporton “Cadena Cope”, lojtari pritet të mbërrijë në Barcelonë gjatë pasdites së vonë.
“Ai pritet të zbarkojë rreth orës në qytetin katalunas pasi tashmë i ka përfunduar me sukses testet mjekësore në Manchester”, shkruan mediumi spanjoll, përcjell “Gazeta Express”.
Gjithashtu po afrohet edhe momenti i parë zyrtar i kontaktit me ambientin e ri: Rodri, në fakt, mund të prezantohet së bashku me mbrojtësin Joao Cancelo të mërkurën, duke i dhënë kështu start aventurës së tij të re me fanellën “Blaugrana”.
Pas disa javësh negociatash, mesfushori largohet përfundimisht nga Manchester City, klub me të cilin i ka përjetuar vitet më të rëndësishme të karrierës së tij, duke fituar trofe të shumtë, mes tyre Ligën e Kampionëve dhe Premierligën.
I lidhur për një kohë të gjatë edhe me Real Madridin, Rodri ka zgjedhur në vend të tij rikthimin në Spanjë për t’iu bashkuar projektit të Barcelonës, duke u shndërruar në pikën e re të referimit në mesfushën e trajnerit Hansi Flick. Një goditje me prestigj të jashtëzakonshëm për “Blaugrana”, të cilët janë gati ta mirëpresin njërin prej futbollistëve më të mirë në botë në këtë pozicion..
