Bashkimi Evropian po përgatitet të zgjerojë ndjeshëm sanksionet kundër Rusisë gjatë muajve të ardhshëm, ka bërë të ditur shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas. Në një intervistë për gazetën gjermane Die Welt , Kallas tha se për vjeshtën po përgatiten listat më të gjera të sanksioneve që nga fillimi i luftës në Ukrainë.
“Sanksionet e BE-së i kanë kushtuar shtrenjtë Rusisë, duke e privuar makinën e luftës së saj nga mbi 1 trilion euro”, deklaroi ajo. Sipas Kallas, nëse paketa e re miratohet, numri i përgjithshëm i subjekteve ruse të sanksionuara nga BE-ja do të rritej me rreth një të tretën. “Presioni duhet të vazhdojë të rritet derisa Moska ta përfundojë luftën e saj”, theksoi ajo.
Kallas nuk dha detaje të tjera lidhur me kohën e miratimit apo masat konkrete që pritet të përfshihen në paketën e re. Në korrik, Bashkimi Evropian miratoi paketën e fundit të sanksioneve kundër Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë, duke vendosur kufizime të reja ndaj sektorit bankar dhe rrjeteve të kriptomonedhave. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
