Bjeshkët e Deçanit po zbrazen, lëndinat po mbulohen nga molikat

0%

Bjeshkët e Deçanit dikur ishin të mbushura me banorë dhe bagëti. Sot, në këto hapësira të bukura, kanë mbetur pak stanarë e edhe më pak tufa. Mungesa e bagëtive po ndryshon edhe pamjen e bjeshkëve, ndërsa lëndinat po mbulohen gradualisht nga molikat.

Në të kaluarën, jo shumë të largët, këto bukuri përrallore të bjeshkëve të Deçanit, gjatë muajve të verës, ishin të banuara nga një numër i madh banorësh të kësaj ane. Bjeshkët e pasura me kullosa ishin të mbushura edhe me bagëti. Por, me kalimin e viteve, numri i tyre ka pësuar rënie drastike.

Banorët e paktë që sot ngjiten në bjeshkë gjatë muajve të verës, e kujtojnë me nostalgji kohën kur stanet ishin plot me njerëz, ndërsa bjeshkët me tufa bagëtish. “Kënaqësia ka qenë shumë e madhe. Ka pasur burra, gra e fëmijë, ndërsa sot nuk i sheh. Jemi tri stane, nga dy anëtarë, në gjithë këtë bjeshkë, në këtë pasuri që na e ka falur Zoti. Por, ne nuk jemi duke ia ditur rëndësinë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Këtu fëmija i ka bërë tre muaj verë dhe një vit injeksion nuk ka marrë”, tha Xen Ferizi, blegtor. Edhe për Adem Matajn, boshatisja e bjeshkëve është pasojë e largimit të banorëve dhe braktisjes së blegtorisë. “Pak banorë po dalin tash. Përpara ishin mbushur stanet me banorë. Ka pasur fëmijë, dele e lopë, sepse blegtoria ka qenë në kulm. Tash popullata ka ikur, ka marrë mërgimin.

Për çudi, investime ka shumë në bjeshkë, por banorë ka pak. Vendi është shumë i bukur. Këtë ajër të bjeshkëve të Deçanit nuk e di kush e ka, uji është i mirë, ajri i pastër, rrugët janë të mira, por interesimi i popullatës nuk është më. Janë larguar nga blegtoria. Vijnë si turistë dhe qëndrojnë nga një apo dy net”, theksoi Adem Mataj.

Por, përveç zbrazjes së bjeshkëve, mungesa e bagëtive po lë gjurmë edhe në natyrë. Lëndinat dhe kullosat, që dikur mirëmbaheshin nga tufat e bagëtive, sot po mbulohen gradualisht nga molikat. “Këtu, unë i mbaj mend rreth 30 tufa delesh, me nga 100 krerë, por tash nuk janë. Kjo mua po më brengos. Pse nuk po i mbajnë, kur kanë mundësi?

Ne përpara kemi ardhur në këmbë, me qerre e me kuaj, ndërsa tash me makinë mund të shkosh deri te stani dhe prapë nuk i mbajnë. Për çfarë arsyeje, unë nuk po mund ta kuptoj këtë popullatë. Shihe këtë bukuri! Krejt ka qenë lëndinë, ndërsa tash shih si është bërë. Kafshët e kanë mbajtur bjeshkën. Edhe pak dhe krejt do të mbulohet” , tha Beqir Shehu.

Të njëjtën pamje e kujton edhe Halil Mataj. Ai thotë se dikur, nga bjeshkët deri në majën e Rupës, shtrihej një hapësirë te madhe kullosash. “Deri në majën e Rupës krejt ka qenë lëndinë. Tash, pas luftës, bagëti nuk ka, sepse bagëtia e ka mbajtur bjeshkën. Siç po e shihni, është mbyllur edhe kjo lëndinë. Ka qenë kënaqësi, edhe pse me kushte të vështira.

Me bagëti, barinjtë uleshin te Kroni i Sheremetit, bisedonin derisa shpërndaheshin nëpër bjeshkë bashkë me bagëtin ë”, tha Halil Mataj. Sipas zyrtarëve të Komunës së Deçanit, në vitet ’90 vetëm në bjeshkët e kësaj komune numri i bagëtive kalonte mbi 20 mijë krerë.

Sot, kjo shifër është shumë më e ulët, ndërsa bashkë me braktisjen e blegtorisë po ndryshon edhe peizazhi i bjeshkëve të Deçanit.

Burimi: Bota Sot