Prishtina e ka nisur furishëm dhe ka triumfuar ndaj Ballkanit me rezultat 4:2. Protagonisti kryesor i sfidës ishte Albin Krasniqi, i cili shënoi dy gola në pjesën e parë, ndërsa për Prishtinën realizuan edhe Diata dhe Kastriot Selmani. Prishtina e nisi takimin në mënyrën më të mirë të mundshme. Në minutën e 10-të, Albin Krasniqi zhbllokoi rezultatin.
Leotrim Kryeziu asistoi për mrekulli te Krasniqi, i cili nga rreth 12 metra, me një goditje përtokë, e dërgoi topin në këndin e majtë të poshtëm për 1:0. Vetëm tetë minuta më vonë, Krasniqi goditi sërish. Në minutën e 18-të, sulmuesi i Prishtinës mori topin dhe nga rreth 15 metra goditi me mjeshtëri.
Topi përfundoi pothuajse në këndin e djathtë të poshtëm, ndërsa portieri i Ballkanit vetëm e përcolli me sy. Prishtina 2:0 Ballkani. Ballkani reagoi dhe në minutën e 24-të fitoi një penallti. Serebe mori përgjegjësinë dhe nga pika e bardhë ngushtoi rezultatin në 2:1. Prishtina vazhdoi të kërkonte golin e tretë dhe atë e gjeti në fund të pjesës së parë.
Në minutën 45+1, Diata, në debutimin e tij me fanellën e Prishtinës, realizoi një gol të bukur. Ai mashtroi fillimisht një mbrojtës dhe më pas edhe portierin e Ballkanit, duke e dërguar topin në rrjet për 3:1. Pjesa e dytë nisi me një tjetër gol të Ballkanit. Në minutën e 49-të, Engjëll Ajazaj realizoi dhe riktheu mysafirët në lojë, duke e ngushtuar rezultatin në 3:2.
Ballkani tentoi të barazonte, por në minutën e 62-të mbeti me një lojtar më pak. Batarelo u përjashtua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje nga prapa ndaj një lojtari të Prishtinës, në afërsi të zonës së rreptësisë. Në minutën e 63-të, Kastriot Selmani shënoi nga gjuajtja e lirë për 4:2.
Selmani goditi fuqishëm, ndërsa topi u devijua nga Ajazaj, duke e mashtruar edhe portierin e Ballkanit dhe duke përfunduar në rrjetë. Deri në fund, Prishtina e kontrolloi avantazhin dhe e ruajti fitoren 4:2. Shbanhaxhoviq dy herë goditi traversën e portës së Prishtinës, por fati nuk ishte në anën e tij.
Në fund, Prishtina festoi një fitore të rëndësishme dhe spektakolare ndaj Ballkanit, në një ndeshje me gjashtë gola, një penallti, një karton të kuq dhe shumë raste shënimi.