Haxhiu: Pa marrëveshje për Presidentin, i çelet rrugë një procesi të

0%

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se zgjedhjet e shkurtit 2025 kanë qenë zgjedhjet e fundit të rregullta pas një mandati të plotë qeverisës, ndërsa dy proceset zgjedhore që pasuan i ka cilësuar të panevojshme dhe të dëmshme për qytetarët dhe buxhetin e Republikës.

“Zgjedhjet e shkurtit 2025 kanë qenë zgjedhjet e fundit të rregullta pas një mandati të plotë qeverisës. Pas këtyre ishin ato të 28 dhjetorit të po atij viti, e më pas edhe ato të 7 qershorit të këtij viti. Të dy këto palë zgjedhje ishin të panevojshme dhe të dëmshme, si për qytetarët ashtu edhe për buxhetin e Republikës”, ka shkruar Haxhiu.

Sipas saj, rezultatet e përafërta të tri proceseve zgjedhore tregojnë se pa dialog politik, veçanërisht për çështjen e Presidentit, nuk mund të gjendet një rrugëdalje. Haxhiu ka theksuar se pikërisht çështja e Presidentit duhet të jetë pika e parë nga ku duhet të nisë dialogu politik, pasi sipas saj, mungesa e një marrëveshjeje rrezikon ta dërgojë vendin sërish në zgjedhje.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ajo ka bërë të ditur se ka ftuar krerët e të gjitha subjekteve politike parlamentare për të diskutuar për një konsensus politik. Haxhiu ka shprehur keqardhje që PDK-ja dhe AAK-ja kanë refuzuar ftesën, duke e cilësuar këtë si veprim të gabuar dhe mungesë vullneti për tejkalimin e bllokadës politike.

Në fund, ajo ka thënë se qytetarët e kanë dhënë mesazhin e tyre përmes zgjedhjeve dhe se detyrë e përfaqësuesve politikë është që këtë mesazh ta zbatojnë në praktikë. “Kosova ka nevojë për shumë punë. Zgjedhjet do të duhej të ishin opsioni i fundit, nëse jo fare opsion”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo ka shprehur shpresën që deri të martën të ketë reflektim nga subjektet politike dhe që takimi të shërbejë për gjetjen e një zgjidhjeje. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com