Zjarrfikësit po luftojnë me një zjarr të fuqishëm që ka përfshirë rezervatin më të madh natyror të Belgjikës, në atë që autoritetet e kanë cilësuar si zjarrin më të madh në historinë e kohëve të fundit të vendit.
Banorët e dy fshatrave pranë zonës janë urdhëruar të evakuohen, pasi flakët kanë përfshirë rreth një të tretën e zonës së High Fens dhe ekziston rreziku që zjarri të arrijë deri te shtëpitë. Për shuarjen e zjarrit janë angazhuar edhe avionë dhe helikopterë për hedhjen e ujit, të dërguar nga vende të ndryshme të Evropës, shkruan BBC.
Zjarri, i cili ka nisur të premten, mbeti jashtë kontrollit edhe të shtunën. Autoritetet thonë se terreni moçalor, zonat e thata dhe pyjet, së bashku me kushtet atmosferike, po e vështirësojnë operacionin e shuarjes.
