Një zjarr i rënë në orët e para të mëngjesit në hotel “Brooklyn” në lagjen “10 Korriku” në Vlorë ka lënë të lënduar gjashtë pushues. Pesë prej tyre janë shtetas të Kosovës, ndërsa një është nga Rrësheni. Sipas njoftimit paraprak të Policisë, zjarri ka qenë aksidental dhe dyshohet se është shkaktuar nga djegia e prizës elektrike të një frigoriferi në ambientet e restorantit.
Dy prej të lënduarve kanë pësuar djegie të konsiderueshme trupore dhe janë transportuar për mjekim të specializuar në Spitalin e Djegieve në Tiranë. “Vlorë/ Informacion paraprak. Sot, rreth orës , në lagjen “10 Korriku”, Vlorë, ka rënë zjarr në ambientet e brendshme të një hoteli, në pronësi të shtetases M. A.
Si pasojë e zjarrit janë lënduar 6 pushues, (5 prej tyre shtetas të Kosovës dhe 1 shtetas nga Rrësheni). Pesë nga të lënduarit janë transportuar për mjekim në Spitalin e Djegieve në Tiranë, ku 2 prej tyre kanë pësuar djegie të konsiderueshme trupore. Një shtetas po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Vlorë. Gjithashtu, nga zjarri janë shkaktuar dëme materiale.
Nga veprimet hetimore të kryera, përfshirë këqyrjen e pamjeve të kamerave të sigurisë, rezultoi se zjarri ka qenë aksidental, i shkaktuar nga djegia e prizës elektrike të frigoriferit, i cili ndodhej në ambientet e restorantit. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të ngjarjes”, shkruan Policia.
