Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë orët e para të mëngjesit të së dielës një hotel në zonën e Lungomares në Vlorë, duke lënë të plagosur shtatë persona, kryesisht të rinj. Ngjarja ka ndodhur rreth orës , ndërsa dyshohet se flakët kanë nisur në katin e parë të objektit, në ambientet e një bar-restoranti, dhe më pas janë përhapur në katin e dytë, ku ndodheshin dhomat e hotelit.
Personat që ndodheshin brenda janë përpjekur të largohen nga godina, ndërsa disa prej tyre janë detyruar të hidhen nga ballkonet për t’u shpëtuar flakëve. Një prej tyre është Luan Saliu nga Lipjani, i cili ka treguar se u hodh nga kati i dytë së bashku me bashkëshorten e tij. “U hodha nga kati i dytë, kishte edhe familje të tjera që u hodhën”, ka deklaruar ai.
Si pasojë, disa persona kanë pësuar fraktura, ndërsa të tjerë kanë marrë djegie në pjesë të ndryshme të trupit. Sipas mjekëve të Spitalit të Vlorës, gjendja e shumicës së të plagosurve është stabilizuar, ndërsa një vajzë ka pësuar djegie të rënda në pjesën më të madhe të trupit.
Pas ndihmës së parë në Vlorë, disa prej të plagosurve janë transportuar drejt Tiranës për trajtim më të specializuar në Spitalin e Traumës dhe në repartin e djegieve. Sipas raportimeve të Top Channel, dyshohet se zjarri mund të ketë nisur nga një prizë treshe ku ishin lidhur dy frigoriferë, ndërsa mbingarkesa elektrike dyshohet se ka shkaktuar flakët.
Policia dhe zjarrfikësit kanë ndërhyrë në vendin e ngjarjes, ndërsa grupi hetimor po vazhdon punën për të përcaktuar shkaqet e sakta të zjarrit. Zjarr në një hotel në Vlorë, 7 persona në spital – pushuesi nga Kosova: U hodha nga kati i dytë Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
