Moti sot pritet të mbajë kryesisht me diell dhe me pak vranësira rreth relievit malor. Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës temperaturat minimale do të lëvizin nga 10 deri në 14 gradë celsius, ndërsa maksimalet pritet të arrijnë nga 28 deri në 33 gradë celsius, raporton KosovaPress.
Era do të fryjë e lehtë deri mesatare, kryesisht nga veriu dhe verilindja, me shpejtësi prej 1 deri në 6 metra për sekondë. Kushtet biometeorologjike dhe agrometeorologjike Sipas Institutit, kushtet biometeorologjike do të jenë përgjithësisht të favorshme.
Megjithatë, gjatë orëve të mesditës, për shkak të temperaturave që mund të arrijnë deri në 33°C, mund të ketë ngarkesë të shtuar termike. Në aspektin agrometeorologjik, kushtet do të jenë të favorshme për zhvillimin dhe pjekjen e kulturave bujqësore.
Ndërkaq, temperaturat e larta dhe mbizotërimi i motit të thatë do të rrisin nevojat për ujë të kulturave bujqësore, veçanërisht të perimeve, misrit dhe pemëve frutore.
