Kërkohet paraburgim ndaj gjyqtarit Avdurrahman Gashi, i dyshuar për

0%

Prokuroria Speciale ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj gjyqtarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Dega në Lipjan, Avdurrahman Gashi. Gashi u arrestua të premten () , me urdhër të Prokurorisë Speciale nën dyshimin për veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare.

Lajmin për kërkesën e caktimit të masës së paraburgimit prej një muajit e ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësja e kësaj prokurorie, Arbnora Luta. Gjyqtari i arrestuar, Avdurrahman Gashi, është gjyqtar në Gjykatën e Prishtinës, dega në Lipjan.

Gjyqtari Gashi është arrestuar në hapësirat e një moteli, ndërsa fotografitë që ka shpërndarë edhe Prokuroria Speciale tregojnë edhe momentin e arrestimit të gjyqtarit nga ekipi i Njësisë së Veçantë Hetimore në Policinë e Kosovës.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Nga Prokuroria Speciale kanë deklaruar se me qëllim të respektimit të integritetit të procesit hetimor dhe parimit të prezumimit të pafajësisë, nuk mund të ndahen detaje të tjera në këtë fazë.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Njësinë e Veçantë Hetimore në Policinë e Kosovës, ka ndërmarrë veprime hetimore që kanë rezultuar me arrestimin e A.G., gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘Keqpërdorimi i detyrës zyrtare’”- thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

PSRK ka bërë të ditur se hetimet ndaj gjyqtarit janë zhvilluar në mënyrë intensive dhe të vazhdueshme për disa muaj. “Bazuar në të dhënat dhe provat e siguruara gjatë hetimit, Prokuroria Speciale ka vlerësuar se ekziston dyshimi i arsyeshëm për përfshirje në veprën penale për të cilën është ndërmarrë masa e arrestimit”- thuhet më tej.

Prokuroria Speciale nuk ka dhënë detaje se për çfarë veprimi konkret dyshohet gjyqtari, nëse rasti lidhet me ndonjë vendim gjyqësor apo me ndonjë çështje tjetër të trajtuar gjatë ushtrimit të detyrës. Sipas Prokurorisë, detajet e tjera nuk mund të bëhen publike në këtë fazë, me arsyetimin e ruajtjes së integritetit të hetimit dhe respektimit të parimit të prezumimit të pafajësisë.

Burimi: Kallxo