Domatja e Mamushës sivjet ka dhënë rendiment më të lartë, por fermerët po përballen me çmime më të ulëta në treg. Konkurrenca nga prodhimet e rajonit, veçanërisht nga Serbia, po ndikon në çmim, ndërsa eksporti vazhdon të jetë në nivel të lartë. Me bujqësi ishte marrë që në fëmijërinë e tij.
Pas një ndërprerjeje disavjeçare të kësaj veprimtarie, Arif Mazreku iu rikthye profesionalisht bujqësisë në vitin 2009. Sot, familja e tij në Komunën e Mamushës disponon 2.5 hektarë me sera, në të cilat kultivon perime të ndryshme. Krahas perimeve të tjera, Mazreku kultivon rregullisht edhe disa lloje të domates. Ai thotë se rendimenti këtë vit është më i lartë se vitin e kaluar.
“Rendimenti këtë vit është më i lartë. Kemi pasur kushte të mira dhe kemi arritur të marrim prodhim më të madh sesa vitin e kaluar”, shprehet Mazreku për emisionin “Toka” në RTK. Krahas kushteve klimatike, kohën e mbjelljes së domates në këtë komunë e përcakton edhe konkurrenca në treg nga vendet e rajonit.
Nga katër varietetet e domates që kultivon, Mazreku thotë se domatja e kuqe ka më së paku probleme sa i përket tregtimit. “Domatja e kuqe është ajo që tregtohet më lehtë. Për varietetet e tjera ka më shumë konkurrencë dhe kërkesa në treg ndryshon”, thotë Mazreku për emisionin “Toka” në RTK.
Sa u përket sëmundjeve që prekin këtë kulturë, rritja e përvojës së fermerëve në menaxhimin e tyre po e bën gjithnjë e më të lehtë përballjen me to. Nga një hektar me domate të kultivuara në sera, Mazreku në vit vjel deri në 160 tonë të këtij produkti. Megjithatë, ai thotë se çmimi sivjet është më i ulët se në vitet e kaluara.
Sipas tij, një nga arsyet kryesore është konkurrenca nga Serbia, edhe pse, siç shprehet ai, produkti serb është më i dobët në cilësi se ai i Kosovës. Në Komunën e Mamushës, për momentin vlerësohet se janë rreth 400 hektarë me sera. Rreth 70 për qind e tyre janë të kultivuara me domate, ndërsa 30 për qind me tranguj.
Familja Mazreku, e cila kultivon perime në 2.5 hektarë sera, përbëhet nga 16 anëtarë, ndërsa shtatë prej tyre janë të angazhuar drejtpërdrejt në këtë veprimtari. Familja, përmes granteve, ka arritur të ndërtojë edhe një hektar sera. Se këtë vit ka rendiment më të lartë të domates e pohon edhe drejtuesi i njërës prej pikave grumbulluese në Mamushë, Feim Bytyqi.
“Rendimenti këtë vit është më i lartë. Çmimi është më i ulët sesa vitin e kaluar, por e mira është që eksporti i domates është në nivel të lartë, njësoj sikurse edhe viteve të tjera”, thotë Bytyqi për emisionin “Toka” në RTK. Edhe sipas Bytyqit, arsyeja e rënies së çmimit në krahasim me vitin e kaluar është konkurrenca e madhe nga eksporti i domates së Serbisë.
Ai thotë se këtë vit prodhimi serb ka dalë në treg në të njëjtën kohë me domaten e Mamushës. “Ka pasur konkurrencë më të madhe, sidomos nga Serbia, sepse prodhimi i tyre këtë vit ka dalë në treg në të njëjtën kohë me prodhimin tonë. Kjo ka ndikuar edhe në çmim”, thotë ai. Sa i përket cilësisë, Bytyqi thotë se domatet e prodhuara në Mamushë janë dukshëm më cilësore se ato të Serbisë.
Në momentin kur u realizuan xhirimet, çmimi i domates sillej nga 35 deri në 40 centë për kilogram, ndërsa fermerët shpresojnë që ky çmim të rritet sadopak. Në Mamushë funksionojnë pesë pika grumbulluese, të cilat brenda një viti arrijnë të eksportojnë rreth 300 kamionë me domate jashtë vendit.
Ndërkohë, Besim Sahiti, agronom me profesion, shpjegon se momentalisht në Komunën e Mamushës janë zëvendësuar pothuajse të gjitha serrat e ndërtuara para një dekade e më tepër. Serat klasike tunel janë zëvendësuar me sera moderne të tipit bllok.
“Zhvillimi teknologjik, së bashku me klimën adekuate që ka kjo komunë, ka ndikuar që të rritet rendimenti dhe cilësia e prodhimit të perimeve në këtë vend”, thotë ai për emisionin “Toka” në RTK. Krahas aspektit klimatik dhe atij teknologjik, Sahiti thotë se fermerët e kësaj ane, për të arritur sukseset e sotme, kanë përshtatur edhe masa të tjera profesionale.
Fillimisht, duke përdorur fara të certifikuara dhe cilësore, pastaj duke zbatuar ushqimin e drejtë dhe të balancuar të bimës, si dhe menaxhimin e duhur të sëmundjeve dhe dëmtuesve. “Dallimi i fermerëve sot, në krahasim me ata të para 15 vjetëve, është shumë i madh sa i përket menaxhimit profesional të prodhimtarisë së perimeve.
Sot kemi një qasje shumë më profesionale ndaj të gjithë procesit të prodhimit” , thotë ai. Vitin e kaluar, Komuna e Mamushës ka eksportuar rreth 300 kamionë me domate jashtë vendit. Sasi e njëjtë, apo pak më e lartë, pritet të eksportohet edhe këtë vit.
Ky nivel i arritur i prodhimit dhe tregtimit, sipas agronomit Besim Sahiti, duhet të ruhet duke respektuar dhe ngritur vazhdimisht standardet e kultivimit.