Ndërtimi i Kishës së “Të Ngriturit e Zojës në Qiell” që në këtë trevë më rrethinë më konkret njihet edhe si Kisha “Zojës e Berishës” në Dobërdol të Klinës përbën një nga ato ngjarje të historisë sonë kishtare dhe kombëtare që nuk mund të shpjegohen vetëm përmes kronologjisë së punimeve, dokumentacionit administrativ apo përmasave arkitekturore të objektit.
Historia e saj është, para së gjithash, historia e një kalvari të gjatë shpirtëror, shoqëror dhe politik, nëpër të cilin kaloi një bashkësi besimtarësh që kërkonte të drejtën themelore për ta shprehur lirisht fenë e vet dhe për ta pasur pranë një shtëpi lutjeje.
Kjo kishë nuk filloi të ndërtohej në çastin kur u hapën themelet e saj, por ajo kishte nisur të ngritej shumë më herët në ndërgjegjen e besimtarëve, në mallin e të moshuarve për Meshën e Shenjtë, në dëshirën e prindërve që fëmijët e tyre të edukoheshin në frymën e Ungjillit dhe në përkushtimin e një bashkësie që nuk dëshironte ta humbiste lidhjen me traditën e vet fetare, kulturore dhe kombëtare.
Para se të bëhej tempull prej guri, ajo ishte një tempull i padukshëm në zemrat e njerëzve. Nevoja për ndërtimin e saj buronte nga rrethanat konkrete të jetës së besimtarëve të famullisë së Klinës, pikërisht nga besimtarët katolikë të Qabiqit, Dobërdolit, Gjurgjevikut të Madh, Pogragjes dhe të fshatrave përreth.
Largësia nga qendra famullitare, vështirësitë e udhëtimit, mungesa e infrastrukturës dhe trysnia politike e kohës ua vështirësonin pjesëmarrjen e rregullt në jetën liturgjike dhe sakramentale. Për këtë arsye, ndërtimi i një kishe nuk ishte as kërkesë luksi dhe as dëshirë për të ngritur një monument të jashtëm. Ai përbënte një nevojë baritore, shpirtërore dhe kulturore.
Bashkësia kishte nevojë për një vend ku të kremtohej Mesha, ku fëmijët të mësonin të vërtetat e fesë, ku familjet të kërkonin bekimin e Hyjit dhe ku të vdekurit të përcilleshin me lutje drejt amshimit. Mirëpo, ideja për ngritjen e kësaj kishe lindi dhe u zhvillua në një periudhë kur regjimi komunist e shihte fenë katolike me mosbesim dhe armiqësi.
Ideologjia zyrtare synonte ta largonte Hyjin nga jeta publike dhe ta kufizonte veprimtarinë fetare brenda një hapësire sa më të ngushtë. Në këtë këndvështrim, çdo përpjekje për ndërtimin e një objekti kishtar trajtohej jo vetëm si çështje urbanistike, por edhe si çështje politike dhe ideologjike.
Përfaqësuesit e regjimit komunist të Klinës përfshirë edhe disa shqipfolës të vënë në shërbim të tij, e kuptonin se Kisha Katolike nuk ishte vetëm një institucion fetar, por kishte qenë ndër shekuj ruajtëse e gjuhës, e kulturës, e kujtesës historike dhe e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve.
Në një popull që kishte kaluar nëpër pushtime, ndalime dhe përndjekje të vazhdueshme, Kisha kishte mbetur një nga hapësirat ku njeriu mësonte se ndërgjegjja nuk është pronë e pushtetit dhe se dinjiteti njerëzor nuk mund të përcaktohet nga ideologjia e radhës. Pikërisht për këtë arsye, ndërtimi i saj shihej nga disa struktura të sistemit si rrezik për kontrollin ideologjik të shoqërisë.
Përballë kërkesës së besimtarëve të trevës së Llapushës nuk u shfaq vetëm një pengesë teknike. U ngrit një mur i hekurt administrativ dhe politik në komunen e Klinës. Vendimet ndaluese, refuzimet, vonesat dhe kërkesat e përsëritura u bënë pjesë e përditshme e këtij kalvari.
Në vend që kërkesa për një shtëpi lutjeje të trajtohej si një e drejtë e ligjshme e qytetarëve, ajo u shoqërua me dyshime, etiketime dhe akuza. Kisha dhe përfaqësuesit e saj paraqiteshin si bartës të nacionalizmit, separatizmit dhe veprimtarisë armiqësore, ndonëse misioni i tyre ishte fetar, kulturor dhe human. Akuza të tilla dëshmonin natyrën e sistemit të atëhershëm.
Çdo formë e ndërgjegjes që nuk kontrollohej plotësisht nga partia konsiderohej e dyshimtë. Feja Katolike ndër shqiptarë shihej si pengesë për krijimin e njeriut ideologjik, ndërsa meshtari, i cili qëndronte pranë popullit dhe mbronte të drejtën e tij për liri shpirtërore, paraqitej si armik i rendit.
Në të vërtetë, kundërshtimi ndaj ndërtimit të kishës ishte pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për ta zvogëluar ndikimin e fesë dhe për ta dobësuar rolin kulturor e shoqëror të Kishës në mesin e shqiptarëve.
Në këtë rrethanë merr kuptim të veçantë fjala e Krishtit: “Nëse bota ju urren, dijeni se para jush më urreu mua.” Kjo thënie nuk duhet kuptuar si thirrje për konflikt me botën, por si paralajmërim se e vërteta dhe ndërgjegjja shpesh përballen me kundërshtime. Ndërtuesit e kishës nuk kërkonin të luftonin askënd.
Ata kërkonin vetëm të drejtën për ta adhuruar Hyjin, për t’i edukuar fëmijët e tyre në besim dhe për ta ruajtur identitetin e vet shpirtëror. Një nga pengesat më të rënda ishte vendimi i autoriteteve komunale të Klinës për ta ndaluar ndërtimin. Për besimtarët, ky vendim nuk ishte vetëm një shkresë administrative.
Ai përbënte një goditje ndaj shpresës së tyre dhe një përpjekje për t’ua mohuar një të drejtë themelore. Ata kishin filluar të organizoheshin, të mblidhnin ndihma dhe të mendonin për ndërtimin, ndërsa papritur u përballën me një refuzim të prerë.
Këtu filloi një nga pjesët më të mundimshme të kalvarit: ecja nga një zyrë në tjetrën, paraqitja e kërkesave, pritja e përgjigjeve, përballja me heshtjen institucionale dhe shpresa se e drejta juridike do të dëgjohej. Përballë këtij sistemi nuk u zgjodh dhuna, por rruga ligjore. U paraqitën ankesa dhe u kërkua ndërhyrja e instancave më të larta.
Ky veprim ishte dëshmi e një qëndrimi të pjekur qytetar dhe baritor: Kisha nuk kërkonte privilegje, por drejtësi. Në këtë proces u dëshmua edhe urtia e fjalës së Krishtit: “Jini të mençur porsi gjarpërinjtë dhe të pafajshëm porsi pëllumbat.” Besimi duhej ruajtur i pastër, ndërsa veprimi duhej të ishte i matur.
Qëllimi nuk ishte krijimi i konfliktit, por hapja e rrugës për realizimin e një të drejte të ligjshme. Kjo ishte një betejë e ndërgjegjes dhe jo një përplasje e dhunshme. Fillimisht, kërkesa u paraqit për ngritjen e një kapeleje të vogël në varreza.
Leja e kufizuar për një objekt me përmasa të vogla ishte shumë më pak sesa nevoja reale e bashkësisë, por për besimtarët ajo u bë një fillim shprese. Ashtu si kokrra e sinapit, e cila, sipas Ungjillit, është e vogël, por rritet dhe bëhet strehë, edhe kjo leje e kufizuar përmbante brenda saj mundësinë e një vepre më të madhe. Pengesat nuk ishin vetëm administrative.
Regjimi komunist kërkonte të ndërhynte edhe në edukimin e brezit të ri. Fëmijët dhe të rinjtë duhej të formoheshin sipas botëkuptimit marksist leninist, ndërsa edukimi fetar paraqitej si i padëshirueshëm.
Kjo përpjekje prekte vetë zemrën e misionit të Kishës, sepse një nga arsyet kryesore të ndërtimit ishte krijimi i një hapësire ku brezi i ri të mësonte fenë dhe të përgatitej për marrjen e sakramenteve. Përballë kësaj kërkese, qëndrimi i Kishës ishte i prerë. Ndërgjegjja e fëmijëve nuk mund të bëhej objekt marrëveshjeje politike.
Fjala e Krishtit: “Lërini fëmijët të vijnë tek unë e mos ua ndaloni”, fitonte këtu një kuptim të drejtpërdrejtë. Edukimi fetar nuk synonte t’i largonte fëmijët nga shoqëria, por t’i formonte si njerëz të ndershëm, të përgjegjshëm, paqedashës dhe të lidhur me traditën e tyre.
Një formë tjetër e pengesës ishte përpjekja për ta paraqitur ndërtimin e kishës si rrezik për marrëdhëniet ndërfetare. Kjo ishte një strategji e njohur e regjimeve shtypëse: krijimi i dyshimit mes njerëzve për ta dobësuar unitetin e tyre. Ndërtimi i një kishe paraqitej sikur do të shkaktonte ndarje ndërmjet shqiptarëve të besimeve të ndryshme.
Mirëpo, kjo përpjekje dështoi, sepse populli e kuptoi se një faltore nuk ngrihej kundër askujt. Mbështetja e banorëve të traditave të ndryshme fetare dëshmoi se shqiptarët mund ta respektonin njëri-tjetrin pa e mohuar identitetin e vet. Kisha nuk ishte instrument përçarjeje, por shprehje e një të drejte të ligjshme të bashkësisë.
Solidariteti ndërfetar u bë një nga përgjigjet më të fuqishme ndaj politikës së dyshimit dhe të ndarjes. Fjala e Krishtit: “Lum pajtimtarët, sepse do të quhen bij të Hyjit”, e shpreh më së miri këtë frymë. Ndërtimi i kishës nuk e cenonte paqen, por e forconte atë, sepse paqja e vërtetë ndërtohet mbi respektin e ndërsjellë dhe jo mbi mohimin e identitetit të tjetrit.
Përkundër të gjitha pengesave, bashkësia e Famullisë së Klinës nuk u tërhoq asnjëherë. Ajo u bashkua rreth një qëllimi të përbashkët. Njerëzit kontribuuan sipas mundësive të tyre: me punë, me mjete materiale, me transport, me ushqim për punëtorët, me këshillë dhe me lutje. Në këtë mënyrë, ndërtimi mori karakterin e një vepre të përbashkët.
Materialet e përdorura për ndërtimin e kishës nuk u bashkuan vetëm me material ndërtimor por edhe me sakrificën e njerëzve. Hekuri nuk shërbeu vetëm si armaturë, por u bë metaforë e qëndrueshmërisë së një bashkësie që nuk u përkul. Djersa e punëtorëve nuk ishte vetëm pasojë e lodhjes fizike; ajo ishte pjesë e një flije të heshtur për brezat e ardhshëm.
Në këtë kuptim, mund të kujtohet rrëfimi ungjillor për gruan e varfër që dha dy monedhat e saj. Vlera e dhuratës nuk matet vetëm me madhësinë materiale, por edhe me dashurinë dhe sakrificën që ajo përmban. Edhe në ndërtimin e kësaj kishe, një ditë pune e një njeriu të varfër mund të kishte vlerë më të madhe shpirtërore sesa një ndihmë e madhe e dhënë pa përkushtim.
Më u hodhën themelet e kishës ku edhe është bërë bekimi i themeleve të Kishës nga unë si famullitar i Kishës së Klinës. Ky moment ishte shumë më tepër sesa fillim i punimeve ndërtimore. Ai përfaqësonte një fitore morale mbi frikën dhe ndalimin. Toka që hapej për themele dukej sikur hapte një faqe të re në historinë e bashkësisë.
Fjala e Krishtit për njeriun e urtë që e ndërtoi shtëpinë mbi shkëmb merr këtu një domethënie të veçantë. Shkëmbi nuk ishte vetëm materiali i fortë i themeleve. Shkëmbi ishte besimi, bashkimi, durimi dhe bindja se e drejta, edhe kur vonon, nuk humbet. Kur muret filluan të ngriheshin, ato u bënë një përgjigje e heshtur ndaj të gjitha ndalesave. Nuk ishin mure të ngritura kundër dikujt.
Ishin mure që dëshmonin se ndërgjegjja fetare nuk ishte shuar. Çdo rresht gurësh tregonte se dhuna ideologjike mund ta vonojë një vepër, por nuk mund ta zhdukë nevojën e njeriut për Hyjin. Më , me kremtimin e Meshës së Parë, kalvari i ndërtimit arriti në një çast gëzimi dhe përmbushjeje. Ajo që dikur kishte qenë vetëm ëndërr, tashmë ishte altar.
Ajo që ishte refuzuar nëpër zyra, tashmë ishte bërë vend lutjeje. Ajo që ishte paraqitur si rrezik, u dëshmua si shtëpi paqeje dhe bashkimi. Për të moshuarit, ky çast ishte kurorëzimi i një pritjeje të gjatë. Ata e panë se mundi dhe lutjet e tyre nuk kishin qenë të kota. Fjalët e Krishtit: “Lum sytë që shohin çka po shihni ju”, mund të përdoren për ta përshkruar përjetimin e tyre.
Ata panë se një bashkësi e vogël, e kundërshtuar nga pushteti, kishte arritur ta ngrinte shtëpinë e vet të lutjes. Megjithatë, historia e kësaj kishe nuk përfundoi me përurimin e saj. Gjatë luftës së vitit 1999, ajo u granatua dhe u dëmtua nga forcat ushtarake dhe paramilitare serbe. Dyert, hapësira e brendshme dhe pjesë të tjera të objektit u shkatërruan.
Kisha, e ndërtuar me aq shumë mund, hyri në një kalvar të dytë. Plagosja e saj ishte pjesë e plagosjes së përgjithshme të Kosovës. Ashtu si shtëpitë, familjet dhe njerëzit, edhe tempulli u bë viktimë e dhunës. Por shkatërrimi nuk e zhduku kuptimin e tij. Përkundrazi, e bëri edhe më të fuqishme dëshminë e tij.
Fjala e Krishtit: “Rrënojeni këtë tempull dhe unë për tri ditë do ta ngre”, e lidh simbolikisht këtë ngjarje me misterin e ringjalljes. Tempulli mund të plagosej, por nuk mund të zhdukej nga ndërgjegjja e popullit. Muret mund të goditeshin, por besimi që i kishte ngritur ato vazhdonte të jetonte. Pas luftës filloi rindërtimi. Përsëri u kërkuan mund, bashkëpunim dhe sakrificë.
Kisha u rinovua, plagët e saj u mbyllën dalëngadalë dhe kambana nisi të kumbonte sërish mbi Dobërdol. Ky tingull nuk ishte vetëm thirrje për kremtimin e Meshës së Shenjtë. Ai ishte zëri i lirisë së rifituar, i kthimit në vendlindje dhe i ringjalljes së një bashkësie që, megjithëse e plagosur, nuk e kishte humbur besimin dhe shpresën.
Kumbimi i kambanës përmbante në vetvete një domethënie që i kapërcente kufijtë e vendit dhe të çastit. Ai nuk ishte vetëm jehona e metalit që përhapej mbi fshat, por një zë që vinte nga thellësia e historisë sonë kishtare dhe kombëtare.
Pas heshtjes së imponuar, pengesave ideologjike dhe dhunës së luftës, kambana dëshmonte se kujtesa e një populli mund të plagoset, por nuk mund të shuhet; se tradita mund të pengohet, por nuk mund të zhduket; dhe se besimi, edhe kur kalon nëpër kalvar, e gjen përsëri udhën drejt dritës.
Duke reflektuar mbi atë çast historik, profesor Prend Buzhala shkruante: “Pas 500 e sa viteve, përsëri po kumbonte lirshëm kambanorja e Kishës sonë. U ringjall jehona, shpirti, edhe ideja e imzot Pjetër Bogdanit…”. Këto fjalë e vendosin kumbimin e kambanës së Dobërdolit në një horizont më të gjerë historik dhe shpirtëror.
Ajo kambanë nuk përfaqësonte vetëm ringritjen e një objekti të dëmtuar nga lufta, por edhe vazhdimësinë e një ideali të mishëruar në figurën dhe veprën e imzot Pjetër Bogdanit: idealin e fesë së ndriçuar, të kulturës, të dijes dhe të dashurisë ndaj atdheut.
Në tingullin e saj dukej sikur rizgjohej kujtesa e një tradite që, ndër shekuj, kishte bashkuar altarin me librin, lutjen me kulturën dhe shërbimin ndaj Hyjit me përgjegjësinë ndaj popullit. Prandaj, kumbimi i lirë i saj ishte shumë më tepër sesa një ngjarje liturgjike.
Ai ishte një pohim historik se Kisha, pavarësisht përndjekjeve, pengesave dhe rrënimeve, kishte mbetur e pranishme në jetën e popullit. Ishte zëri i brezave që e kishin ruajtur fenë në kohë të vështira, jehona e lutjeve të thëna në heshtje dhe shenja e një agimi të ri pas natës së gjatë të dhunës.
Në atë çast, fjala e Krishtit: “Drita shndrit në errësirë dhe errësira nuk e pushtoi”, bëhej pothuajse e prekshme. Dhuna kishte kaluar, por tempulli qëndronte. Predhat kishin heshtur, ndërsa kambana fliste.
Frika ishte përpjekur ta mbyllte zërin e fesë, por ai zë ishte kthyer më i fuqishëm, duke bashkuar të kaluarën me të tashmen dhe duke ua përcjellë brezave të ardhshëm mesazhin se një popull që ruan besimin, kujtesën dhe kulturën e vet nuk mund të mposhtet shpirtërisht.
Kalvari i ndërtimit të Kishës së Dobërdolit të Llapushës së Klinës, dëshmon se liria fetare nuk ka qenë gjithmonë një e drejtë e dhënë pa sakrificë. Ajo është fituar përmes durimit, urtisë, përkushtimit dhe qëndresës.
Regjimi komunist mund ta vononte ndërtimin, ta pengonte përmes vendimeve dhe ta shoqëronte me akuza, por nuk arriti ta shkatërronte bindjen e njerëzve se kishin të drejtë të ndërtonin një shtëpi të Hyjit. Kjo histori na mëson gjithashtu se tempulli sakral i vërtetë nuk përbëhet vetëm nga muret.
Ai ndërtohet në ndërgjegjen e njerëzve, në besnikërinë ndaj së vërtetës, në respektin për tjetrin dhe në gatishmërinë për të sakrifikuar për të mirën e përbashkët. Kisha e Dobërdolit mbetet sot një dëshmi e këtij kalvari. Në themelet e saj gjendet kujtimi i pengesave. Në muret e saj gjendet mundi i besimtarëve. Në plagët e saj gjendet historia e luftës.
Në kambanën e saj gjendet zëri i lirisë. Ajo qëndron si dëshmi se një pushtet mund ta pengojë përkohësisht ndërtimin e një tempulli, por nuk mund ta ndalojë përgjithmonë besimin e një populli. Mund t’i mbyllë dyert e zyrave, por nuk mund ta mbyllë qiellin. Mund t’i rrëzojë muret, por nuk mund ta rrëzojë shpresën.
Mund ta heshtë kambanën për një kohë, por nuk mund ta heshtë përgjithmonë ndërgjegjen. Prandaj, historia e kësaj kishe është histori e kalimit nga pengesa te themeli, nga refuzimi te altari, nga plagosja te rindërtimi dhe nga heshtja te kumbimi i lirisë. Ajo është dëshmi se, kur një vepër ndërtohet mbi besim, dashuri dhe drejtësi, stuhitë mund ta godasin, por nuk mund ta shkatërrojnë.
Sikurse thotë Krishti: “Secili që i dëgjon këto fjalë të mia dhe i zbaton, i përngjan njeriut të urtë që e ndërtoi shtëpinë e vet mbi shkëmb.” Mbi këtë shkëmb u ngrit edhe Kisha e Dobërdolit, mbi Krishtin, mbi besimin e popullit dhe mbi sakrificën e atyre që nuk pranuan që frika ta kishte fjalën e fundit.
Si meshtar i Kishës Katolike në Dioqezën Prishtinë–Prizren, si famullitar i parë i Famullisë së Klinës dhe si pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në ndërtimin edhe të kësaj kishe në Dobërdol të Klinës , këtë histori nuk e shoh vetëm si kujtim të një ndërtimi të vështirë, por edhe si dëshmi të gjallë të besimit që nuk u përkul para frikës, të shpresës që nuk u shua përballë pengesave dhe të dashurisë që i bashkoi njerëzit rreth një qëllimi të shenjtë.
Kisha e Dobërdolit nuk u ngrit vetëm mbi themele prej guri, por mbi lutjet, djersën dhe sakrificën e një bashkësie që e kuptoi se tempulli i Hyjit është njëkohësisht shtëpi e shpirtit, shkollë e ndërgjegjes dhe vatër e paqes. Prandaj, dëshiroj që brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë ta ruajnë këtë kishë jo vetëm si trashëgimi arkitekturore, por edhe si amanet shpirtëror.
Ta ruajnë me pjesëmarrje në jetën sakramentale, me dashuri ndaj familjes, me respekt ndaj tjetrit dhe me besnikëri ndaj së vërtetës. Sepse kisha nuk mbahet gjallë vetëm nga muret e saj, por nga zemrat që luten, nga duart që shërbejnë dhe nga njerëzit që dinë të falin.
Le të mbetet ky tempull sakral një vend ku i lodhuri gjen ngushëllim, i riu gjen drejtim, familja gjen bekim dhe i varfri gjen një derë të hapur. Le të jetë gjithmonë vatër pajtimi ndërmjet njerëzve dhe dëshmi se feja e vërtetë nuk ndan, por afron; nuk përjashton, por përqafon; nuk mbjell frikë, por shpresë.
Kambana e kësaj kishe le të mos na thërrasë vetëm për kremtimin e Meshës, por edhe për zgjimin e ndërgjegjes. Sa herë që ajo kumbon mbi Dobërdol, le të na kujtojë mundin e atyre që e ngritën, plagët e atyre që vuajtën dhe përgjegjësinë tonë për ta ruajtur këtë trashëgimi të shenjtë. Mbi të gjitha, le të na rikujtojë fjalën e Krishtit: “Mos kini frikë!
Unë e munda botën.” Me këtë besim ecën Kisha jonë, me këtë shpresë jeton populli ynë dhe mbi këtë shkëmb duhet ta ndërtojmë të ardhmen tonë. Qoftë Kisha e “Të Ngriturit e Zojës në Qiell” në Dobërdol një dritë që nuk shuhet, një urë që nuk shembet dhe një altar nga i cili lutja e popullit tonë të ngrihet gjithmonë drejt Hyjit për paqe, bekim dhe mirësi. Pejë, më
