Liverpooli po përgatitet të nisë bisedimet me Alexis Mac Allisterin për një kontratë të re, me synimin që ta sigurojë të ardhmen afatgjatë të mesfushorit argjentinas në “Anfield”. Sipas CaughtOffside, drejtuesit e klubit anglez duan t’i bëjnë të qartë 27-vjeçarit se ai mbetet një nga figurat kryesore të projektit të Liverpoolit.
Lëvizja vjen në një kohë kur interesimi për Mac Allisterin është rritur ndjeshëm. Real Madridi dhe Tottenham Hotspur raportohet se e kanë në radar mesfushorin, ndërsa edhe Chelsea dhe Manchester City kanë zhvilluar kontakte gjatë javëve të fundit. Megjithatë, përfaqësuesit e futbollistit argjentinas thuhet se kanë refuzuar qasjet e bëra deri tani.
Edhe babai i Mac Allisterit kishte deklaruar më herët se lojtari nuk po mendon për një largim nga Liverpooli. “Të Kuqtë” e vlerësojnë shumë mesfushorin dhe raportohet se gjatë muajit korrik kishin vendosur një çmim prej rreth 100 milionë eurosh për një largim të mundshëm të tij.
Mac Allister iu bashkua Liverpoolit nga Brightoni në vitin 2023 për rreth 42 milionë euro dhe që atëherë është shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës. Me dy vite të mbetura në kontratën aktuale, Liverpooli synon që gjatë muajve të ardhshëm të nisë negociatat për një marrëveshje të re dhe të përmirësuar.
Klubi nuk dëshiron të rrezikojë humbjen e një tjetër lojtari të rëndësishëm, ndërsa po planifikon ndërtimin e skuadrës për sezonet e ardhshme. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
