Prej Kunorës në mal tw Munellës, Në Mal të Shenjtë e në Mal të Veles, Nis prej Matit e në kufi me Dibrën, Gjer në Shkodër e gjen Mirditën. Ku shëndrit dielli e praron hana, Vasha të bukura janë si zana; Edhe djemtë janë të bardhë si drita, Në ato anë gjendet Mirdita.
Por, si malet dorë për dorë, Po vijnë në kuvend djemtë mirditorë; Fjalën “KOMB” gdhendin në gur, Në portën e kishës, përmbi mur. Amante lanë princat arbër, Se në Ndërfanë e patën në hatër Katedralen, kur po e ngrinin, Valë e valë princat po vinin. Bekim të madh pati dhënë Zoti Ndër këto anë, vetë Kastrioti; Gjeti burra si meteorë, Vëllezërit Gazulli, ambasadorë.
Mor për besë e për burrni, Gjeneralë gjeti për ushtri; Se më të mirë kërkund nuk pati Se Pal Kuka e Pjetër Perlati. Por me penë e për dijeni, Pat Abatin, more gjeni, Për më pri pati Bib Dodën, Që me gjak e mbrojti tokën. Fjalë të urta flet Pjetër Shpani, Pashko Vasës thuaj, zë i bani, E Gjergj Fishta, me atë lahutë, Kur Ndre Mjeda flet fjalën e urtë.
E kur fjala e urtë do të vijë, “Mos gaboni”, thotë Gjegjovi; “Në mes jush një burrë ju gjeta, Për urti, mor Anton Çeta!” Dom Nikolli, gur themeli, Thyeu errësirën si rreze dielli; Porse zanat nëpër male Nuk po hedhin sot më valle. E djemtë e tu, të bardhë si drita, Thuaj, s’janë më; ku mbeti Mirdita? Thuaj, ka rënë po një duhi, Kullat bosh, pa djem të rinj.
Ty s’të mposhti turku e sllavi, As romaku, as bullgari; Por se sot më unë s’po di, Kur të shoh të mbetur pa lavdi? E nuk po ka kush me të dalë zot, Prandaj zanat qajnë me lot. Por ti, sa të bjerë nata e të zbardhë drita, Do jesh e do mbetesh përherë Mirdita.
