Klinika Kombëtare për Trajnerë 2026 ka vazhduar sot me ditën e dytë, duke sjellë një program të pasur me ligjërata teorike dhe sesione praktike për trajnerët pjesëmarrës.
Klinika, e organizuar nga Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK), në bashkëpunim me FIBA-n dhe Shoqatën e Trajnerëve të Basketbollit të Kosovës (SHTBK), po zhvillohet në Marigona Residence, përkatësisht në Hotel Sheraton dhe Palestrën ISP.
Pas ditës së parë, ku fokusi ishte te MiniBasketbolli dhe zhvillimi i aftësive themelore përmes lojërave, dita e dytë ka vazhduar me tema të rëndësishme për zhvillimin profesional të trajnerëve dhe punën me basketbollistët e rinj. Pjesëmarrësit kanë pasur mundësi që njohuritë teorike t’i ndërthurin me punën praktike në parket, duke shkëmbyer përvoja dhe ide me ligjëruesit e Klinikës.
Në Klinikë, Granit Rugova, Drejtor i Projekteve dhe Programeve Zhvillimore, ka prezantuar Manualin e Identifikimit të Talenteve dhe Zhvillimit Afatgjatë të Lojtarëve (LTAD), duke treguar rëndësinë e këtij Manuali, që shumë shpejt do të jetë publik për të gjithë të interesuarit.
Ndërkohë, trajneri gjerman, Marius Huth ka ligjëruar për temat: Parimet e hartimit të planit stërvitor dhe planifikimit vjetor, Parimet bazë të zhvillimit të basketbollit te të rinjtë, Ngacmimet e vendimmarrjes, krijimi i mjediseve efektive të të nxënit dhe Parimet bazë të bashkëpunimit sulmues në basketbollin e të rinjve.
Klinika Kombëtare për Trajnerë 2026 do të vazhdojë edhe të dielën, më 16 gusht, me ditën e tretë dhe të fundit të programit, duke u përmbyllur me ndarjen e certifikatave për pjesëmarrësit.
