Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.7 ka goditur të shtunën lindjen e Indonezisë, duke lënë të paktën 47 persona të vdekur dhe duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Autoritetet indoneziane kanë bërë të ditur se bilanci i viktimave mund të rritet, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë operacionet në zonat më të goditura.
Tërmeti goditi rajonin e ishullit Flores në orët e hershme të mëngjesit, ndërsa epiqendra ishte në afërsi të Nagekeos, në provincën East Nusa Tenggara. Sipas autoriteteve, tërmeti kishte një thellësi prej rreth 15 kilometrash. Pas goditjes kryesore janë regjistruar dhjetëra pasgoditje të fuqishme, përfshirë edhe një prej rreth 6.1 ballësh.
Qindra ndërtesa janë dëmtuar, përfshirë shtëpi, shkolla, objekte shëndetësore, institucione dhe vende kulti. Pamjet nga qyteti portual Maumere tregojnë pjesë të ndërtesave të shembura, ndërsa ekipet emergjente po kërkojnë persona që mund të kenë mbetur nën rrënoja. Autoritetet lëshuan fillimisht paralajmërim për cunami dhe mijëra banorë u larguan drejt zonave më të larta.
Paralajmërimi u hoq disa orë më vonë. Rreth 2 mijë persona raportohet se janë evakuuar ose janë larguar vetë nga zonat e rrezikuara. Operacionet e shpëtimit po vështirësohen në disa rajone nga rrëshqitjet e dheut, rrugët e bllokuara dhe ndërprerjet e komunikimit.
Autoritetet kanë paralajmëruar qytetarët që të qëndrojnë larg ndërtesave të dëmtuara dhe zonave bregdetare, ndërsa vlerësimi i plotë i dëmeve vazhdon. Indonezia ndodhet në të ashtuquajturën “Unaza e Zjarrit” të Paqësorit dhe goditet shpesh nga tërmete dhe aktivitet vullkanik.
