Jamie Vardy mund të rikthehet në futbollin anglez, pasi presidenti i një klubi ka konfirmuar publikisht interesimin për sulmuesin veteran gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në radio. Vardy aktualisht është pa klub, pasi u largua nga Cremonese në fund të qershorit. 39-vjeçari realizoi shtatë gola në 29 paraqitje gjatë sezonit të tij të parë në Itali.
Edhe pse në aspektin personal pati një eksperiencë relativisht të mirë, golat e tij nuk mjaftuan për ta shpëtuar Cremonesen nga rënia në Serie B. Pas përfundimit të kontratës, Vardy vendosi të largohej, ndërsa sinjalet kanë qenë të qarta se ai ende nuk po mendon për pensionimin.
West Ham gjithashtu në garë për Vardyn Ditët e fundit, emri i ish-sulmuesit të Anglisë është lidhur me një transferim te West Ham United, pas rënies së londinezëve në Championship. Trajneri i West Hamit, Nuno Espirito Santo, besohet se mendon se Vardy ende mund të japë kontribut të rëndësishëm. Megjithatë, ai nuk do të ishte përforcimi kryesor i klubit në sulm.
Objektivi prioritar i West Ham mbetet sulmuesi i AZ Alkmaar, Troy Parrott, ndërsa Vardy do të kishte më shumë rolin e një alternative me eksperiencë nëse do të transferohej në London Stadium. Edhe Feyenoord kishte shfaqur interes më herët gjatë afatit kalimtar, por dëshira e Vardyt raportohet se është rikthimi në Angli.
Sheffield Wednesday kërkon ta rikthejë aty ku nisi gjithçka Largimi i Vardyt nga Cremonese bëri që menjëherë të lindnin spekulimet për një rikthim emocional te Sheffield Wednesday, klubi i qytetit të tij dhe vendi ku nisi rrugëtimi i tij në futboll. Vardy kishte qenë pjesë e akademisë së Sheffield Wednesday, por u lirua nga klubi gjatë adoleshencës.
Më pas ai vazhdoi karrierën në nivelet e ulëta me Stocksbridge Park Steels, përpara se të ndërtonte një nga historitë më të jashtëzakonshme të futbollit anglez. Sheffield Wednesday, ndërkohë, ka kaluar vite shumë të vështira.
Klubi hyri në administrim financiar në tetor të vitit 2025, gjatë periudhës së ish-pronarit Dejphon Chansiri, ndërsa më vonë dështoi të përmbushte disa detyrime financiare. Si pasojë, Sheffield Wednesday u penalizua me gjithsej 18 pikë dhe përfundimisht ra nga Championship duke e mbyllur sezonin me zero pikë.
Tani në League One, klubi mbështetet nga një konsorcium amerikan që ka plane ambicioze për të ardhmen. Një prej tyre është rikthimi i Jamie Vardyt. Presidenti: “Do të ishim shumë të lumtur ta kishim” Presidenti i Sheffield Wednesday, David Storch, konfirmoi interesimin gjatë një interviste për talkSPORT. “Jamie është dikush që do të donim ta kishim në klubin tonë”, deklaroi Storch.
Kur u pyet nëse klubi dëshiron t’i nisë sa më shpejt bisedimet me sulmuesin, ai shtoi: “Le të themi vetëm se do të ishim shumë të lumtur ta kishim.
Fatkeqësisht kemi disa kufizime dhe po përpiqemi të kuptojmë se si mund t’i zgjidhim, në mënyrë që t’i paraqesim Jamies një ofertë që ka kuptim edhe për të.” Megjithatë, pengesa kryesore për realizimin e këtij transferimi mund të jetë vetë Vardy.
Kur u pyet së fundmi nga bashkëmoderatori Manish Bhasin në podcastin e tij “Jamie Vardy’s Having A Party” nëse do të rikthehej te Sheffield Wednesday, përgjigjja e tij ishte e qartë. “Shkurtimisht, jo. Gjithmonë kam thënë se kur më larguan, ai kapitull për mua u mbyll”, tha Vardy. “Kështu jam unë.
Nuk ishte e destinuar të ndodhte atëherë dhe për mua nuk është e destinuar të ndodhë as tani.” Vardy po stërvitet me Leicester City Për momentin, Vardy po ruan formën fizike duke u stërvitur me Leicester City, klubin ku kaloi pjesën më të madhe dhe më të suksesshme të karrierës së tij.
Me Leicesterin ai fitoi në mënyrë historike Premier League dhe më pas edhe FA Cup, duke u shndërruar në një nga figurat më ikonike të historisë së klubit. Edhe Leicester aktualisht ndodhet në League One, pas dy rënieve radhazi nga kategoritë më të larta.
Tashmë mbetet të shihet nëse Vardy do të zgjedhë një rikthim emocional në futbollin anglez dhe, mbi të gjitha, nëse Sheffield Wednesday do të arrijë ta bindë atë të rikthehet aty ku nisi gjithçka.
