Kampioni i Ukrainës do t’i luajë ndeshjet e Championsit në ‘Stamford

0%

Chelsea nuk do të luajë në Ligën e Kampionëve këtë sezon, por “Stamford Bridge” mund të presë sërish ndeshje të kompeticionit prestigjioz. Shkak është Shakhtar Donetsk, kampioni i Ukrainës, që ka zgjedhur stadiumin londinez si opsionin e preferuar për ndeshjet si vendas.

Klubi ukrainas është detyruar të luajë jashtë “Donbas Arena” që prej vitit 2014, për shkak të luftës në rajonin e Donetskut. Që atëherë, Shakhtari ka zhvilluar ndeshjet në shtëpi në qytete të ndryshme dhe në disa vende evropiane. Sipas BBC Sport, Chelsea dhe Shakhtari aktualisht po zhvillojnë negociata për këtë mundësi.

Dy klubet kanë një marrëdhënie të afërt, e cila u forcua edhe pas transferimit të Mykhailo Mudrykut te Chelsea. Ata kanë bashkëpunuar gjithashtu në kuadër të ndeshjes bamirëse “Game4Ukraine”. Në garë për të pritur ndeshjet e Shakhtarit kanë qenë edhe Craven Cottage dhe Gtech Community Stadium.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Megjithatë, kapaciteti prej rreth 40 mijë vendesh i Stamford Bridge e favorizon stadiumin e Chelseat. Një tjetër avantazh është komuniteti i madh ukrainas që jeton në Londër dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas të dhënave të publikuara, rreth 32 mijë ukrainas jetojnë në kryeqytetin britanik. Megjithatë, marrëveshja mes palëve ende nuk është finalizuar.

Për zhvillimin e ndeshjeve të Shakhtarit në Stamford Bridge nevojitet edhe miratimi i autoriteteve lokale. Gjithashtu, UEFA duhet të japë dritën jeshile për zhvillimin e këtyre sfidave në stadiumin londinez. Nëse marrëveshja realizohet, Stamford Bridge mund të shndërrohet përkohësisht në shtëpinë evropiane të kampionit ukrainas.

Burimi: Bota Sot