Presidenti amerikan Donald Trump dhe miliarderi Elon Musk kanë rikthyer kontaktet pas përplasjes së ashpër publike që i vuri përballë njëri-tjetrit në vitin 2025, por marrëdhënia mes tyre duket se nuk do të kthehet në nivelin e afërsisë që kishin dikur.
Sipas një raportimi të Wall Street Journal , dyshja tashmë komunikon rreth një herë në muaj, kryesisht për inteligjencën artificiale, Kinën dhe zhvillimet ndërkombëtare. Përpjekjet për të normalizuar raportet janë ndihmuar nga zëvendëspresidenti JD Vance, shefja e kabinetit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, si dhe persona të tjerë të afërt me të dyja palët.
Trump dhe Musk ishin ndër aleatët më të fuqishëm politikë gjatë muajve të parë të mandatit të dytë të presidentit amerikan. Musk drejtoi Departamentin për Efiçencën e Qeverisë (DOGE), por raportet u përkeqësuan pas përplasjeve politike dhe mosmarrëveshjeve rreth politikave të administratës.
Përplasja shpërtheu publikisht në qershor 2025, kur Musk sulmoi Trumpin dhe e lidhi atë me çështjen e dokumenteve të Jeffrey Epstein. Trump iu përgjigj duke kërcënuar se mund të anulonte kontratat qeveritare me kompanitë e miliarderit. Një nga momentet që ndihmoi në zbutjen e tensioneve ishte ceremonia përkujtimore e aktivistit konservator Charlie Kirk në shtator 2025.
Trump dhe Musk u shfaqën bashkë në këtë event, në takimin e tyre të parë të rëndësishëm publik pas përplasjes. Kirk kishte qenë gjithashtu një prej figurave që kishte kërkuar afrimin e tyre. Në muajt pasues, Musk hoqi dorë nga ideja për një parti të re politike dhe u orientua sërish drejt mbështetjes së republikanëve.
Sipas raportimeve të fundit, ai po aktivizon sërish America PAC për zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2026, me synim rritjen e pjesëmarrjes së votuesve republikanë. Wall Street Journal raporton se Musk është zotuar të shpenzojë të paktën 100 milionë dollarë për këtë përpjekje. Megjithatë, pajtimi nuk nënkupton rikthimin e “miqësisë së vjetër”.
Sipas këshilltarëve të Trumpit, presidenti beson se raporti me Musk nuk do të jetë më aq i afërt sa ishte para përplasjes. Pra, nga aleatë të pandashëm në armiq publikë e më pas sërish në kontakt: Trump dhe Musk duket se kanë bërë paqe, por këtë herë me më shumë distancë. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!