Më , vetëm një vit pasi Bill Clinton u betua si president i Shteteve të Bashkuara, Shtëpia e Bardhë priti në një takim kortezie një figurë të jashtëzakonshme shqiptare, Pjetër Arbnorin, Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë.
Fotografia e ruajtur nga albumet e kohës, nga ai moment, tregon presidentin amerikan Bill Clinton duke biseduar me Arbnorin në një atmosferë të ngrohtë e respektuese, një skenë që mbetet e paprecedentë si për historinë e Shqipërisë, ashtu edhe për atë të Shtëpisë së Bardhë.
Pjetër Arbnori ishte ish-i burgosur politik, që kishte kaluar 28 vjet në burgjet më të rënda të regjimit komunist të Enver Hoxhës. Ai u lirua vetëm në fund të viteve ’80, pasi kishte përjetuar tortura, izolim dhe vuajtje që pak njerëz mund t’i imagjinojnë. Vetëm tre vjet pas lirimit, në vitin 1992, ai u zgjodh Kryetar i Parlamentit të Shqipërisë demokratike.
Ishte pikërisht në këtë cilësi që Clinton e priti në Washington. Ky takim nuk ishte thjesht një formalitet diplomatik. Por, për herë të parë në historinë e Shtëpisë së Bardhë, një president amerikan priti një ish-të burgosur politik shqiptar që kishte mbijetuar regjimin më të egër komunist në Evropë.
Mesazhi që Amerika e Clintonit u dërgoi shqiptarëve ishte i qartë: në atë kohë, ajo e shihte Shqipërinë jo vetëm si një shtet që po dilte nga diktatura, por si një vend që kishte njerëz të denjë për respektin e botës së lirë. Arbnori, me pamjen e tij të qetë dhe dinjitoze, përfaqësonte atë botë të mijëra shqiptarëve që kishin vuajtur nën komunizëm.
Takimi i tij me Clintonin simbolizonte kalimin nga errësira e burgjeve në dritën e demokracisë dhe të aleancës me Perëndimin. Në atë moment, historia personale e një të burgosuri shndërrohej në histori kombëtare dhe ndërkombëtare, ashtu siç ndodhi me Mandelën, por me Shqipërinë, jo në ato përmasa si me Afrikën e Jugut.
Fotografia e atij takimi mbetet edhe sot dëshmi e gjallë e një kohe kur Shqipëria po rilindte dhe kur Shtetet e Bashkuara hapnin dyert për ata që kishin rezistuar. Ky ndoshta është një kujtim që nuk duhet harruar: se liria gjithmonë, kudo dhe në çdo kohë, ka çmim dhe se, nganjëherë, ajo çmohet edhe në korridoret e Shtëpisë së Bardhë.
