Regjisori dhe aktori i nominuar për Oscar, Mark Rydell, ka ndërruar jetë në moshën 97-vjeçare. Ai u nda nga jeta të enjten, më 13 gusht, për shkaqe natyrore në Motion Picture & Television Country House and Hospital në Woodland Hills, Kaliforni.
Lajmin e konfirmoi vajza e tij, Amy, për The Hollywood Reporter, ndërsa më pas ajo i kushtoi një dedikim emocional babait të saj në Instagram, shkruan DailyMail. “Është e vështirë të shpreh me fjalë sa shumë e doja babanë tim”, shkroi ajo, duke e përshkruar si personin më qesharak dhe më të talentuar që kishte njohur.
Rydell pati një karrierë disa dekadëshe në Hollywood, gjatë së cilës punoi me emra të mëdhenj të kinemasë, përfshirë Bette Midler, Katherine Hepburn dhe John Wayne. Ai qëndroi pas kamerës për filma të njohur, mes tyre “The Rose” me Bette Midler dhe “On Golden Pond”, për të cilin u nominua për Oscar si regjisor.
I lindur në mars të vitit 1929 në New York, Rydell studioi në Juilliard, ndërsa u trajnua edhe si aktor në Neighborhood Playhouse dhe Actors Studio. Karrierën në industrinë e argëtimit e nisi në vitet ’50 me role në disa produksione televizive, përpara se të kalonte gradualisht në regji.
Në vitin 1967 ai drejtoi filmin “The Fox”, ndërsa dy vite më vonë solli në ekran “The Reivers”, me Steve McQueen dhe Sharon Farrell. Gjatë dekadave të karrierës, Rydell la gjurmë si në televizion, ashtu edhe në kinematografi, duke u bërë një prej figurave të njohura të Hollywood-it.
