RDK vendos posterët “Shkelësit e Kushtetutës” në dyert e Kuvendit

0%

Rinia Demokratike e Kosovës ka zhvilluar një aksion simbolik para Kuvendit të Kosovës, ku ka vendosur posterë në dyert e objektit me fotografitë e Albin Kurtit, Albulena Haxhiut dhe Avni Deharit, të shoqëruara me mbishkrimin “Shkelësit e Kushtetutës”.

Aksioni është zhvilluar në shenjë proteste ndaj asaj që RDK-ja e cilëson si bllokadë institucionale dhe pengim të procesit të konstituimit të Kuvendit. Përmes posterëve, RDK-ja ka paraqitur edhe pretendimet e saj lidhur me afatet dhe procedurat kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.

Kryetarja e RDK-së, Arbnora Salihu, tha se me këtë aksion synojnë t’ua rikujtojnë deputetëve se asnjë parti politike, deputet apo shumicë parlamentare nuk është mbi Kushtetutën. “Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, që po e shkelin Kushtetutën e po i bllokojnë institucionet, ua kujtojmë që: Asnjë parti, asnjë deputet dhe asnjë shumicë nuk është mbi Kushtetutën”, tha Salihu.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas saj, të rinjtë e Kosovës nuk duhet ta pranojnë shkeljen e rregullave kushtetuese si praktikë institucionale. “Të rinjtë e Kosovës nuk mund ta pranojnë që këto lloj shkelje të bëhen praktikë, e pastaj të na shiten si normalitet”, u shpreh ajo.

RDK-ja i ka bërë thirrje Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, të cilën e konsideron si subjektin me shumicën parlamentare, që ta thërrasin seancën dhe ta përmbyllin procesin e konstituimit të Kuvendit. Salihu tha se Kushtetuta parasheh afat prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit, nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.

Ajo iu referua edhe Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullores së Kuvendit, duke thënë se një ndërprerje gjatë seancës konstituive nuk mund të zgjasë më shumë se 48 orë. Aksioni është zhvilluar para hyrjes së Kuvendit, ndërsa posterët me mbishkrimin “Shkelësit e Kushtetutës” janë vendosur në dyert e objektit si pjesë e protestës së RDK-së.

Burimi: Kallxo