Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e së premtes në Llapashticë të Epërme të Podujevës, ku një 75-vjeçar është gjetur pa shenja jete, mëson Sinjali. Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se viktima është Rrahim Muçiqi, rreth 75-vjeçar.
Rasti është raportuar më 14 gusht, rreth orës , pasi Policia ka pranuar informatën nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare se në fshatin Llapashticë e Epërme ndodhej një person pa shenja jete. Menjëherë në lokacion ka dalë njësia patrulluese, ndërsa më pas vendit të ngjarjes i janë përgjigjur edhe hetuesit dhe Forenzika, të cilët kanë nisur veprimet për sqarimin e rrethanave të rastit.
Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda, me urdhër të të cilit është iniciuar rasti “Hetim mbi vdekjen”. Trupi i pajetë i 75-vjeçarit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa shkaku i vdekjes nuk është bërë i ditur në informacionet fillestare. Hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave po vazhdojnë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
