Ish-profesori i Kembrixhit, gjendet i vdekur pas skandalit për

0%

Jason Arday, ish-profesor i sociologjisë së arsimit në Universitetin e Kembrixhit, është gjetur i vdekur në një adresë në Battersea, në jug të Londrës. Shërbimet emergjente thanë se një burrë u gjet “pa shenja reagimi” të premten pasdite. Policia e ka cilësuar vdekjen si të papritur, por nuk beson se ajo është e dyshimtë.

Arday, 41 vjeç, kishte dhënë dorëheqjen javën e kaluar nga posti në Kembrixh, pas akuzave për plagjiaturë dhe pikëpyetjeve mbi disa prej arritjeve të tij akademike. Ai i kishte mohuar akuzat, ndërsa kishte pranuar se në disa prej punimeve të tij të hershme kishte gabime.

Familja e tij tha se ishte “e tronditur” nga humbja e tij dhe e përshkroi Ardayn si një “baba, partner, vëlla, xhaxha dhe djalë të mrekullueshëm”. Sipas familjes, “fushata e dezinformimit ishte e tepërt për Jasonin”, të cilin e përshkruan si një njeri të butë që gjithmonë kërkonte të shihte të mirën te të tjerët.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Polemika shpërtheu pasi akademiku Nathan Cofnas, i cili më parë ishte shkarkuar nga Kembrixhi, pretendoi se kishte zbuluar raste të shumta plagjiature në punën e Arday, shkruan bbc. Universiteti Liverpool John Moores, i cili i kishte dhënë Arday doktoraturën në vitin 2015, kishte hetuar akuzat dhe kishte përfunduar se ai nuk kishte kryer plagjiaturë.

Arday kishte thënë se disa nga gabimet në punimet e tij të hershme lidhen me autizmin e tij dhe mënyrën se si ai përpunonte informacionin. “Nuk kam vrarë askënd. Mizoria që kam përjetuar dhe mënyra se si jam paraqitur si gënjeshtar dhe fantazist është krejtësisht e papranueshme”, kishte deklaruar ai për Times.

Në njoftimin për dorëheqjen, Arday tha se kostoja personale e shqyrtimit publik ishte bërë “shumë e madhe”. “Akuzat e pandërprera, spekulimet dhe komentet publike kanë shkaktuar një dëm të thellë tek unë dhe tek njerëzit që dua”, kishte shkruar ai, duke theksuar se dorëheqja nuk nënkuptonte pranimin e akuzave.

Zëvendëskancelarja e Kembrixhit, Deborah Prentice, tha se universiteti ishte “jashtëzakonisht i pikëlluar” nga lajmi dhe shprehu ngushëllimet për familjen e tij. Kembrixhi kishte nisur gjithashtu një hetim të pavarur për mënyrën se si Arday ishte emëruar në postin e profesorit.

Miku i tij dhe profesori Kehinde Andrews tha se Arday ishte “shumë i rënduar” pas dorëheqjes, se nuk dilte më nga shtëpia dhe kishte humbur shumë peshë. Arday ishte bërë në vitin 2023, në moshën 37-vjeçare, profesori më i ri me ngjyrë në historinë e Kembrixhit. Ai kishte nisur karrierën si mësues i edukatës fizike dhe më vonë ishte bërë profesor në Durham, Glasgow dhe Kembrixh.

Burimi: Telegrafi